Kthimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës për rishqyrtim ka nxitur debate të shumta politike. PDK-ja insiston se ligji do të miratohet brenda afateve të parapara, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur gatishmërinë për ta mbështetur sërish. Në anën tjetër, Aleanca ka kritikuar këtë zhvillim, ndërsa Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar protesta të reja nëse Kuvendi nuk vepron me shpejtësi.
Kthimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Kuvend me kërkesë të vetë nismëtarëve të tij, Partisë Demokratike ka rihapur debatet politike dhe procedurale për këtë çështje.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, është shprehur e bindur se ligji për Specialen, do të hyjë në fuqi brenda afateve të parashikuara.
“Kërkesa e PDK-së për rikthimin e ligjit në Kuvend nuk është as tërheqje prej tij – dhe as nuk e zbehë atë. Për t’u dhënë përgjigje pikëpyetjeve të ngritura, si sponsorizues i dhamë procesit edhe katër javë kohë. Qëllimi është një dhe i vetëm: të hiqet çdo mëdyshje, të forcohet baza juridike e ligjit dhe të sigurohet zbatimi i tij në praktikë”, ka shkruar Çitaku.
Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se do ta mbështesin sërish ligjin.
“Në kuptim procedural, Kuvendi aktualisht i ka dy opsione: ose ta rivotojë në lexim të parë, me shumicën prej 61 votash, ose ta kthejë procedurën në pikën fillestare. Shpresoj që sponsorizuesit ta nisin sa më parë dhe ta kalojmë sa më shpejt në Kuvend. Nuk kemi bërë ndryshime, por qëndrimi ynë ka qenë përkrahës edhe në të kaluarën”, ka thënë Rrustemi.
Krejt ndryshe e sheh këtë zhvillim Aleanca. Deputeti Besnik Tahiri e kritikoi kthimin e ligjit, duke e cilësuar si të dëmshëm.
“Për Aleancën është akt i papranueshëm dhe do të shohim si do të rrjedhë. Për ne, në Hagë mbrohet tregimi për liri, nuk mbrohen partitë, mbrohet e vërteta jonë. Nuk do ta lejojmë dëmtimin e kauzës së luftës për liri”, ka thënë Tahiri.
Vullnet Bugaçku nga KDI ka thënë se neni 84 i Rregullores së Kuvendit nuk e specifikon nëse një ligj mund të amendamentohet pas kthimit nga presidentja, por përcakton që komisioni përgjegjës duhet ta dorëzojë raportin brenda katër javësh.
“Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet t?i përgjigjen vetos së presidentes, duke vendosur nëse e pranojnë apo jo kthimin e ligjit. Nëse ligji merr 61 vota dhe deputetët nuk e pranojnë kthimin e tij nga presidentja, atëherë ai mbetet në fuqi ashtu siç është miratuar më parë. Nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, pra shumicën absolute, atëherë, sipas Rregullores së Kuvendit, konsiderohet se nuk ka ligj”, ka thënë Bugaçku.
Në anën tjetër, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar protesta të reja nëse Kuvendi nuk rishikon me shpejtësi Ligjin për Dhomat e Specializuara. Në një përgjigje për RTK-në, nënkryetari i OVL te UÇK-së, Gazmend Syla, e cilësoi këtë zhvillim si hap prapa në përpjekjet për ndryshimin e ligjit.