Kurti: 515 ushtarë i shtohen mbrojtjes së atdheut

Në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, është mbajtur ceremonia e diplomimit të rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti tha se sot po betohen 515 ushtarë të rinj të FSK-së, që shënon edhe gjeneratën më të madhe që ka pasur ndonjë ushtria e Kosovës.

“515 qytetarë të Republikës që kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut. 515 pushkë më shumë për sigurinë e vendit. 515 garantues të rinj të lirisë dhe të paqes”.

Kështu e nisi fjalimin Kurti, duke shtuar: “Të dashur ushtarë, rrugëtimin tuaj sot e filloni duke e ditur thellë në qenien tuaj që liria jonë është rezultat i përpjekjeve të shumë brezave, i atyre që dhanë gjithçka nga vetja e tyre për vendin tonë”.

I pari i ekzekutivit tha se “UÇK-ja ishte dhe mbetet simbol i vendosmërisë së popullit tonë për të mos u nënshtruar, për të mos u pajtuar me robërinë. Flijimi i dëshmorëve e martirëve të kombit na obligon që ta ruajmë të vërtetën historike, ta nderojmë luftën e drejtë çlirimtare e të krenohemi me të kudo që jemi e ngado që shkojmë”.

“Nga malet e Drenicës, te Kullat e Dukagjinit, nga Drini i Bardhë te Ibri e Sitnica, nga Llapi e Gollaku te Anamorava e Karadaku – çdo krahinë e rajon, qytet e fshat, kodër e luginë, ruan kujtime të rezistencës dhe kryengritjes, të përpjekjeve për liri dhe të dashurisë për atdheun”, u shpreh Kurti.

Ai tha më tej se në këtë tokë, “liria është histori familjesh, sakrificë brezash dhe përgjegjësi që trashëgohet”.

“Ushtria është një nga shtyllat kryesore të shtetit. Zhvillimi i saj është obligim yni për të ndërtuar institucione, me mundësi dhe aftësi për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të mbrojtur sovranitetin e shtetit dhe integritetin territorial të Republikës, në përputhje me mandatin e saj kushtetues dhe ligjor”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ai u zotua për investime mbi 1 miliard euro tha se zotimi ynë është të investojmë mbi 1 miliard euro në ushtri.