Nga 103 milionë në 3 muajt e parë, Trusti redukton humbjet në 37 milionë

Goditja e tregjeve ndërkombëtare nga pandemia COVID-19 ka ndikuar edhe në performancën e Fondit të Kursimeve Pensionale. Mbi 37 milionë euro janë humbjet në investime gjatë këtyre pesë muajve.

Por, krahasuar me fillimin e pandemisë, ky institucion ka shënuar rritje të performancës. Dy ditë më parë ky institucion ka pasur kthim në investime në vlerë 11 milionë euro.

Shpallja e ankandeve të letrave me vlerë nga Qeveria ka kthyer investimet e Trustit brenda vendit. Sipas këtij institucioni, këto investime kanë arritur në nivel rekord, prej gati 30 për qind të totalit të mjeteve nën menaxhim.

“Në vlerë, investimet në Kosovë tashmë janë rreth 600 milionë euro, ku pjesa dërrmuese e investimeve janë në letra me vlerë të Qeverisë së Kosovës. Gjatë vitit pritet që investimet në Kosovë të shtohen ende”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni, raporton KOHA.

Aty shtohet se kontribuuesit e pensionuar gjatë 2020-s nuk do të preken nga rënia e tregjeve financiare. Ky institucion ka nën menaxhim mbi 1.9 miliard euro.