Luani i cili ishte në prag të ngordhjes në një kopsht zoologjik në Shqipëri, tashmë është në gjendje të shkëlqyeshme në Holandë (Foto)

Luani, për të cilin kishin shkruar edhe mediat britanike, me sy të nxirë, tashmë është kuruar dhe gëzon shëndet të plotë.

Ndërkohë Organizata ndërkombëtare “Katër Putrat”, ka shpërndarë edhe disa pamje të Luanit Lenci i cili duket se është shumë i lumtur me jetën e tij të re.

Punonjësit e qendrës së përkujdesjes në Holandë thonë se, një vit nga mbërritja, Lenci është sot më miqësor, gazmor dhe aktiv.

Rreth një vit më parë rasti i kafshëve të keqtrajtuara në Safari Park Zoo, ose siç u cilësua ndryshe ‘Kopshti zoologjik i Ferrit’ në Fier, u publikua nga media britanike “Daily Mail”.

Menjëherë pas publikimit, një sërë reagimesh publike përfshinë mediat shqiptare, ndërkohë që institucionet u angazhuan për të sjellë kafshët në Tiranë, dhe u bë e mundur mbyllja e Safari Park Zoo dhe transferimi i tyre.

Ekipi i “Katër Putrave” udhëtoi për në Shqipëri për të dërguar në një shtëpi tre luanët, Lencin, Bobin dhe Zhakun. Vetëm dy muaj pasi kishte mbërritur në Holandë, Zhakut iu dha lamtumira e fundit. Kjo pasi mushkëria e tij ishte dëmtuar shumë keq. /Lapsi.al/