Mehmeti: Aprovohen rreth 90% e kërkesave për shtyrje të kësteve

Pezullimi i përkohshëm i pagesave të kësteve të kredisë po rishikohet rast pas rasti nga bankat me qëllim që këto përfitime të shkojnë vetëm te ata të cilët janë prekur nga kriza aktuale dhe deri më tash janë aprovuar rreth 90 për qind të kërkesave të klientëve shtyrjen e kredive.

Kështu thotë guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), Fehmi Mehmeti, duke shtuar se bankat komerciale në asnjë mënyrë nuk duhet t’i rrisin tarifat për kryerjen këtyre shërbimeve gjatë kësaj periudhe.

Guvernatori Mehmeti në një intervistë për KP thotë se në këtë periudhë të pandemisë Covid-19, pas mbylljes së disa bizneseve, pritet të mbyllen vende të punës plotësisht dhe pjesërisht, si dhe një rënie ekonomike minus dy deri minus 4 (-2 deri-4).

“BQK-ja për mes masave, ka ndërmarrë të gjitha masat e duhura ligjore për të parandaluar klasifikimin e kredive që të mos kërkojnë provizione shtesë dhe mos të klasifikohen si kredi jo-performuese në regjistrin e kredive. Gjithsesi ne iu kemi bërë me dije bankave që në asnjë mënyrë nuk duhet t’i rrisin tarifat për kryerjen këtyre shërbimeve gjatë kësaj periudhe. Ju kemi bërë thirrje bankave që mos të bëjnë shtrenjtim të tarifave dhe mos të aplikojnë masa ndëshkuese ndaj asnjë personi fizik apo juridik që është afektuar prej krizës dhe që ka bërë kërkesë për shtyrje. Ne veç i kemi paralajmëruar bankat që në rast se nuk e zbatojnë në plotni këtë vendim të Bankës Qendrore, ne do të fillojmë ekzaminimet për secilën bankë pasi që të përfundon kjo pandemi dhe do të marrim masa ndëshkuese ndaj të gjithë atyre institucioneve të cilat nuk e kanë respektuar vendimin e BQK-së. Mirëpo, mund të them se shumica ose 80-90 për qind janë aprovuar të gjitha kërkesat që janë paraqitë deri më tani në bankat komerciale”, thotë Mehmeti.

Ai beson se me planin e rimëkëmbjes ekonomike që do të jetë në vlerë shumë më të madhe se pakoja emergjente, do të ndihmojë ekonominë në këtë sfidë që po ballafaqohet vendi dhe e tërë bota.

Mehmeti po ashtu tha se kjo krizë do të ndikojë edhe në uljen e remitencave, investimeve të huaja dhe në rënien kreditimit.