Një mori ftesash kanë ardhur, por ende nuk ka aktakuzë. Më 24 shkurt Prokurori i Specializuar i Gjykatës Speciale ka njoftuar Kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës se ka ndërmend të fillojë me procedime penale.
Por tash e dy muaj kjo nuk ka ndodhur.
Nga Dhomat e Specializuara është konfirmuar për Klankosova.tv se puna nuk është ndalur. Pyetur nëse shkak i mosngritjes së aktakuzave në këtë periudhë është pandemia, përgjigja ka qenë “JO”.
“Puna e gjyqtarit të procedurës paraprake i caktuar nga Kryetarja për të shqyrtuar aktakuzat është duke vazhduar”, theksohet më tutje në përgjigje.
Pavarësisht që kanë kaluar dy muaj nuk ka të ngjarë që tash për tash të ketë ndonjë të akuzuar.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka deri gjashtë muaj për të marrë një vendim nëse do ta anulojë aktakuzën apo do ta konfirmojë atë. Nëse konfirmohen pjesë ose të gjitha akuzat në aktakuzë, atëherë ajo menjëherë bëhet publike”.
“Gjatë periudhës së konfirmimit, para se aktakuza të bëhet publike, Kryetarja e Dhomave të Specializuara cakton një gjykatës paraprak i cili shqyrton provat për të mbështetur aktakuzën dhe për të vendosur nëse ekziston dyshimi i bazuar kundër të dyshuarit”.