Kryetarja e Kuvendi i Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se presidenti Hashim Thaçi s’mund të flasë në emrin e saj si deputete në tentimin për të formuar qeveri të re pa dërguar vendin në zgjedhje.
Thaçi sot vendosi t’ia japë mandatin partisë apo koalicionit që siguron shumicën në Kuvend për të formuar qeverinë e re. Ai tha se pro janë 91 deputetë, duke u bazuar në deklaratat e krerëve të partive, por këtu ka refuzuar të përfshihet Osmani e LDK-së.
Në një postim në Facebook, Osmani ka kujtuar se para shtatë vjetësh Thaçi kishte dërguar në Kuvend Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe. Ka kujtuar se kishte votuar kundër e ka thënë se sot prapë Thaçi po tenton të flasë në emër të deputetëve. “Por jo në Emrin tim”, ka shkruar ajo duke iu përgjigjur në këtë aspekt të parit të vendit.
“Si sot 7 vite më parë, Thaçi solli për votim në Kuvend marrëveshjen e tij me Dacic, të cilën e quajti njohje të Kosovës nga Serbia. Marrëveshja, në fakt, krijoi Asociacionin e Komunave Serbe, legalizoi strukturat kriminale të veriut, i futi strukturat e sigurisë së Serbisë në institucionet tona, krijoi sistem jounitar gjyqësor e ofroi amnisti për serbët që kishin kryer krime. Atëherë votova KUNDËR, e bindur që kjo nuk ishte as njohje e as marrëveshje finale dhe vetëm hapte rrugë për shkelje të tjera të rënda në dëm të shtetësisë e sovranitetit të vendit. Sot, 7 vite pas, po i njëjti, tenton të flasë në emër të 91 deputetëve. Por, JO NË EMRIN TIM, e as në emër të qindra mijëra qytetarëve të tjerë të këtij vendi, të cilët njëjtë sikur më 6 tetor 2019, edhe sot qartë dijnë të bëjnë dallimin e të mirës me të keqen”, ka shkruar ajo në Facebook.