Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se negociatat e AAK-së me LDK-në janë ende të pakonkretizuara, por ka thënë se ka dakordim për bashkëqeverisje.
Sipas tij, nuk është kohë zgjedhjes kjo periudhë dhe se kundër kësaj janë të gjitha partitë, përveç Vetëvendosjes.
“Nuk ka gjëra konkrete. Por ka dakordim për bashkëqeverisje në të ardhmen me LDK-në. E patë që të gjitha partitë ishin kundër shkuarjes në zgjedhje, përveç VV-së. Nuk ka rrethana për me shku në zgjedhje”, tha Haradinaj në RTK. Ai tha se kryeministrin në detyrë Albin Kurti e humbi mundësinë në Parlament, duke e prishur qëllimisht koalicionin.
“Në të ardhmen pritet të shohim, se çfarë zhvillimesh do të kemi. Platforma politike për të cilin jemi pajtuar me LDK-në, janë disa prej këtyre si menaxhimi i situatës së pandemisë, krijimi i stabilitetit pas pandemisë, rikthimi i buxhetit për ato komuna që kjo qeveri i ka linçu. Ligji për Pagat që duhet të zbatohet, etj.”, tha Haradinaj.