Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një konference për media, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi, sot doli në ilegalitet me vendimin që t’ia japë mandatin për formim të qeverisë së re, pa zgjedhje, cilësdo parti apo koalicion që dëshmon që ka shumicën në Kuvend.
“Presidenti me një përpjekje të egër po mundohet që vullnetin e shprehur me votë nga qytetarët, ta mbyllë më një dekret antikushtetues, ku po përpiqet të përjashtojë partinë më të votuar. Presidenti sot doli në ilegalitet. Formalizimi i deklarimeve të sotme do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Këtë mundësi, presidentit ia dhanë krerët e LDK-së të cilët me vullnet braktisën çdo fjalë të thënë e dhënë ndaj qytetarëve e ndaj nesh. Me këso veprime e taktikash shpaloset përpjekja për të blerë ilegalisht kohën të cilën ua shkurtoi vullneti i qytetarëve”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se duhet të mbahen zgjedhjet e reja pasi të përfundojë pandemia COVID-19. “Çfarëdo vendimi tjetër, është kundër vullnetit të qytetarëve”, ka thënë Kurti.
Sipas tij ky veprim i Thaçit nuk është në kompetencën e presidentit.
“Nuk është në kompetencën e presidentit të Kosovës vlerësimi i interesave të partive, por mbrojtja e interesit shtetëror. Çfarë rendi paskemi ne që t’i pyesim partitë si duan të procedojnë. Kjo që ka ndodhur është e paparë më herët dhe rrezikon seriozisht rendin tonë kushtetues. Pas mocionit të mosbesimit përmes të cilit u shkarkua qeveria, presidentit nuk i krijohet hapësirë të luajë rol të akterit politik. Zgjedhjet janë opsioni i vetëm”, tha Kurti.