Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk e ka refuzuar kërkesën e presidentit Hashim Thaçi për të emëruar mandatar të ri për kryeministër.
Në takim me presidentin Thaçi, Albulena Haxhiu, nga Vetëvendosje ka thënë se Thaçi është duke bërë shkelje kushtetuese me thirrjen e partive të tjera për t’u konsultuar për të formuar qeverinë e re.
Ajo ka folur pas fjalimit të presidentit Thaçi. Në fillim të takimit me liderët e partive parlamentare, i pari i vendit ka thënë se pesë kërkesa i janë dërguar LVV-së.
“Edhe pse i kam dërguar pesë kërkesa LVV-së, nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e propozimit të kandidatit për ta formuar Qeverinë”, ka thënë ai.
Thaçi, në fjalimin hyrës, po ashtu ka thënë se hapat për krijimin e Qeverisë janë “e drejtë dhe detyrë e tija”.
“Në pajtim me mandatin kushtetues të presidentit të Kosovës dhe në përputhje me aktgjykimin e Kushtetueses në rastin K01013-14 është e drejtë dhe detyrë e presidentit të bëjë përpjekje për krijimin e Qeverisë, pasi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që u përmend i kërkon presidentit që të shmangë zgjedhjet e parakohshme. Është përgjegjësia e imja ta ruajë stabilitetin e vendit dhe ta garantoj funksionimin demokratik të vendit”, ka thënë ai.