Ramosaj: Organet e rendit të mos ndalen deri në zbardhjen përfundimtare të vrasjes makabre në Gllogjan

Kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj ka përshëndetur arrestimin e tre personave të dyshuar në lidhje me vrasjen trefishtë që ndodhi dy javë më parë në Gllogjan.

Ai përgëzoi organet e drejtësisë në kapjen e të dyshuarve në lidhje me vrasjen e rëndë, duke inkurajuar ata që të zbardhin vrasjen deri në fund.

“I përgëzoj organet e drejtësisë, në zbardhjen e rastit, konkretisht në kapjen e të dyshuarve në lidhje me vrasjen e trefishtë që ndodhi më 26 nëntor në Gllogjan. I inkurajoj organet e rendit të shtetit tonë, që të mos ndalen deri në zbardhjen përfundimtare të vrasjes makabre në Gllogjan!” shkroi Ramosaj në një postim në Facebook.

“Uroj që raste të tilla, të mos përsëriten më në shqiptari”, ka shkruar tutje Ramosaj.

Prokuroria Themelore në Pejë njoftoi se janë arrestuar tre të dyshuar për vrasjen e trefishtë të 26 nëntorit, në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit.