Kosova të martën do të nisë drejt Gjermanisë dhjetëra mostra për testim të variantit Omicron. Rezultatet do të vijnë brenda tre deri në katër javë.
Këtë e ka konfirmuar për KOHËN, drejtori i Departamentit të Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Xhevat Jakupi.
“Po, nesër do të nisen dhjetëra mostra për testim të variantit Omicron. Numri i saktë i mostrave do të dihet nesër në mëngjes. Rezultatet i presim pasi të përpunohen në laborator atje në Gjermani”, ka thënë shkurt Jakupi.
Varianti Omicron, i shfaqur për herë të parë në Afrikën e Jugut, është konsideruar “shqetësues” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Kjo ka bërë që shumë vende të ashpërsojnë masat anti-COVID për të frenuar një valë tjetër të mundshme.
Ky variant është përhapur edhe në vendet e afërta me Kosovën, si në Kroaci apo Greqi.
Qeveria e Kosovës dje njoftoi për masat e reja anti-COVID, që janë marrë me arsyetimin e paraqitjes së këtij varianti në rajon.