Me një ritëm të shpejt po publikohen rezultatet për kryetarët e komunave të Kosovës, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Sipas të dhënave të KQZ-së me numërimin e mbi 60 për qind të votave në komunën e Ferizajt, Pejës e Mitrovicës së jugut, kandidatët që po prijnë pritet të fitojnë pa balotazh.
Në Mitrovicën e jugut, kandidati i PDK-së, Bedri Hamza po prin me 54.65 për qind të votave, duke lënë prapa Agim Bahtirin e LVV-së, me 33.79 për qind të votave.
Në Pejë, me 60.49 për qind prinë Gazemnd Muhaxheri i LDK-së, ndërkaq i dyti është 22.55 për qind.
Ndërkaq, edhe kandidati i PDK-së në Ferizaj, Agim Aliu po prin në këtë qytet me 63.08 për qind, ndërsa i dyti është Valon Ramadani i LVV-së me 25.18 për qind.
(Rezultatet në kohë reale mund t’i shihni duke klikuar KËTU)
https://zgjedhjet2021.org/sq/mayr/r/20
Ndryshe, ka përfunduar pa incidente të theksuara procesi zgjedhor sot në Kosovë.
Qytetarët iu janë drejtuar kutive të votimit në 38 komuna, për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal, asamblistët dhe kryetarët.
Të gjitha qendrat e votimit u hapën me kohë në orën 07:00 të mëngjesit dhe të njëjtat janë mbyllur në orën 19:00.
Sipas të dhënave të para të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), menjëherë pas mbylljes së procesit të votimit rezulton që 43.5% e qytetarëve ushtruan të drejtën për të votuar.
Më së shumti qytetarë që shkuan drejtë kutisë së votimit ishin nga Komuna e Zveçanit ku aty 83.92 përqind e qytetarëve dolën për ta hedhur votën për kandidatin e tyre i cili do t’i udhëheq për katër vitet e ardhshme. Më pas më së shumti votues pati në Komunën e Leposaviqit, më pas Mitrovica e Veriut, Komuna e Mamushës, Zubin Potoku dhe Novëbërda.