Jep dorëheqje Ministri i Shëndetësisë në Maqedoni

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, ka bërë me dije se i ka dërguar kryeministrit Zoran Zaev propozimin për dorëheqjen e tij nga posti i ministrit të Shëndetësisë, në një dalje për shtyp para pak çastesh para selisë së qeverisë.

Dorëheqja e tij  vjen pas tre dorëheqjeve paraprake pasditen e sotme, atë të dy drejtorëve të spitalit të Tetovës dhe zëvendësit të tij, Ilir Hasani, raporton AlsatM.

Edhe Filipçe, si kolegët e tij paraprakë, e justifikon vendimin me përgjegjësitë morale që ai mban si ministër për tragjedinë që ndodhi në spitalin e Tetovës.

Para 2 ditësh në spitalin e Tetovës humbën jetën 14 pacientë të shtruar me COVID-19 në spitalin modular të Tetovës, si shkak i rënies së zjarrit në objekt. Deri më tani, për këtë, nuk është vënë akoma asnjë person para përgjegjësisë.