Sindikalisti i shëndetësisë kërkon nga Osmani t’i shtyjë zgjedhjet lokale për 6 muaj

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla ka thënë se duke e ndjerë dhe prekur këtë numër alarmant të infektuarve me COVID-19 dhe të vdekurve, publikisht ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani që t’i shtyjë zgjedhjet lokale.

Syla, përmes një postimi në Facebook, duke folur për menaxhimin e pandemisë, ka thënë se si institucione janë për marre e gjynah.

“Kryetare anuloni zgjedhjet lokale dhe formoni sa më shpejt nga ju grupin për shpëtim nacional nga pandemia …jemi keq…””, ka shkruar ai, transmeton Telegrafi.

Postimi i plotë i Sylës:

“Presidentes…Kërkesë

E nderuar anuloi zgjedhjet lokale për 6 muaj…

Duke e ndjerë dhe prekur këtë numër skandaloz të infektuarve dhe të vdekurve po ju adresohem publikisht pasi s’po merrni vesh.

PRESIDENTE jemi për marre e gjynah, për menaxhim të Pandemisë, ju lutem jeni bija e një punëtorë të respektuar shëndetësore, e dini pra çka do thotë kjo. Jemi lodhur, dermuar, ofenduar e të neglizhuar…andaj veproni.

Nuk po kërkoj takime, foto të çastit e lëmosh, po kërkoj njerëzi dhe ndenjë.

KRYETARE ANULONI ZGJEDHJET LOKALE DHE FORMONI SA MË SHPEJT NGA JU GRUPIN PËR SHPËTIM NACIONAL NGA PANDEMIA …JEMI KEQ…”, ka shkruar ai.

Ndërsa zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen me 17 tetor, e fushata zyrtare fillon me 15 shtator dhe zgjat 1 muaj.

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar të shtunën tetë viktima me coronavirus. Ndërsa, në 24 orët e fundit janë regjistruar edhe 2,279 raste të infektimit, pas testimit të 12,666 mostrave.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se më 21 gusht janë shëruar 325 pacientë nga sëmundja COVID-19, derisa raste aktive janë 18,287.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar mbi 125,000 pacientë me këtë virus.

Prej tyre mbi 2,300 kanë vdekur.

Në Kosovë tashmë ka nisur programi i vaksinimit masiv kundër koronavirusit.

Në këtë vend ka vaksina të prodhuesve Pfizer/BioNTech dhe AstraZeenca.

Në 24 orët e fundit janë vaksinuar 22,486 persona.

Të vaksinuar me të dyja dozat janë 234,731 persona, derisa sipas autoriteteve 687,553 vaksina janë dhënë në total në Kosovë.