Ambasada e SHBA-së: Me vaksinat e dhuruara sot, Kosova do të mund t’i mbrojë plotësisht qytetarët e saj

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia dhuruan Kosovës kontingjentin e parë me 503.100 doza të vaksinës Pfizer, kundër COVID-19, derisa të enjten arritën 35.000 sosh.  Duke folur gjatë ceremonisë së arritjes së vaksinave, ambasadori Philip S. Kosnett tha se vaksinat bëjnë punë vetëm nëse njerëzit vaksinohen.

“Shumë njerëz ende besojnë se vaksina është e panevojshme ose nëse janë infektuar dhe i kanë mbijetuar COVID-it, që nuk do të sëmuren sërish. Kjo thjeshtë nuk është e vërtetë, veçanërisht në vazhdën e rritjes dramatike të rasteve të shkaktuara nga varianti Delta. Prandaj, ju lutemi, vaksinohuni për të mbrojtur veten, familjet dhe komunitetin tuaj”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Vaksinat e dhuruara nga SHBA-ja u dorëzuan përmes mekanizmit COVAX. Sipas Ambasadës së SHBa-ve në Kosovës me këtë dërgesë, Kosova ka pranuar mbi 700.000 doza përmes COVAX, transmeton Klankosova.tv.

“Kjo paraqet donacionin më të madh të vaksinës kundër COVID-19 që ndonjë vend apo organizatë ia ka dhuruar Kosovës. Me këto doza, qeveria e Kosovës do të ketë mundësi t’i vaksinojë plotësisht dhe të mbrojë qytetarët e saj, duke lëvizur për 20 për qind më afër arritjes së qëllimit të saj të përgjithshëm të vaksinimit”.

Përveç vaksinave, prej fillimit të pandemisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhuruar gati 4 milionë dollarë për pajisje mbrojtëse, pajisje mjekësore, grante për mësim përmes internetit, si dhe ndihmë tjetër lidhur me COVID-19.