Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për BBC ka folur për situatën në Afganistan dhe gatishmërinë e Kosovës për të qenë stacion për refugjatët afganë para se ata të sistemohen në SHBA.
“Janë skena zemërthyese. Si ish-refugjate po e ndiejë këtë vërtetë, çdo ditë të kësaj tragjedie humanitare dhe absolutisht asnjëri nuk mund të them se largohet nga shtëpia me dëshirë, vetëm nëse aty ka dhunë të jashtëzakonshme apo terror. Siç mund të shohim tash në rastin e Afganistanit”, ka thënë Osmani.
Ajo ka treguar se është arritur marrëveshja me SHBA-në në korrik për të pranuar refugjatë afganë, por se askush nuk ka pritur se e gjithë kjo do të ndodhte aq shpejt.
“Besoj se kishte informata që punonjësit që kanë punuar me ushtrinë amerikane apo organizatat amerikane do të mund të jenë në rrezik, por asnjëri nuk e dinte kur, së paku ne në Kosovë jo. Por ne ishim të gatshëm dhe e treguam gatishmërinë tonë pa hezituar. Për numrin e saktë po diskutohet. Por nuk do të jemi vendi që do t’i thotë jo këtyre refugjatëve, këtyre njerëzve në nevojë, përderisa kemi hapësirë. Sado hapësirë që të kemi do ta përdorim për të strehuar ata. Ndoshta do të kemi disa që vijnë më shpejt se që kemi pritur. Në fillim kemi menduar se do të ndodhë pas disa jave e do të kemi kohë për t’u përgatitur. Por duket se nevoja për disa është më e madhe se për disa tjerë. Jemi në kontakt me partnerët tanë amerikanë dhe do të dihet pas 2-3 ditëve koha e saktë se kur do të vijnë refugjatët e parë”, ka thënë Osmani.
Osmani u ka bërë thirrje gjithë qeverive demokratike që të hapin dyert për refugjatët afganë. Ajo ka thënë se vetëm së bashku mund të arrihet suksesi, siç ndodhi në rastin e Kosovës.
“Është me rëndësi që së pari si njerëz e më pas si liderë të tregojmë lidership në këto situata të vështira. Duhet të kuptojmë se nëse nuk punojmë së bashku nuk do të jemi në gjendje të kemi sukses. Rasti i Kosovës tregon këtë. Vetëm kur SHBA-ja, Britania dhe anëtarët e NATO-s punuan së bashku arritën ta mposhtnin regjimin e Millosheviqit dhe të sillnin paqe jo vetëm në Kosovë por gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha Osmani. “Unë isha refugjate vet. Nuk është se ata që të persekutojnë të pyesin nëse do të largohesh tash apo pas një viti. Asnjëri nuk largohet se do këtë, por e bën nga dëshpërimi. Për këtë arsye u bëjë thirrje të gjitha qeverive demokratike ta shtrijnë dorën e ndihmës njëjtë siç kanë bërë për gjithë ne këtu në Kosovë. Nëse Kosova si shtet i vogël i Ballkanit mund të bëjë këtë atëherë gjitha shtetet mund ta bëjnë. Duhet të tregohet zemra e madhe”.
Ajo ka thënë se rasti i Afganistanit tregon se sa e brishtë është paqja në botë dhe se duhet të vazhdojë përkushtimi i NATO-s dhe të merret me këtë situatë të brishtë të sigurisë dhe humanitare.
Osmani në anën tjetër ka thënë se përderisa njerëzit në Afganistan nuk e kanë fjalën e tyre dhe nuk vendosin për fatin e tyre atëherë nuk do të dëgjohet lajm pozitiv nga ai rajon. Në anën tjetër ka thënë se Rusia kurrë nuk është askund në botë për të ndikuar pozitivisht sa i përket paqes e sigurisë.