Pas rritjes së rasteve pozitive me COVID-19, Ministria e Shëndetësisë do të aplikojë masa të reja për luftimin e kësaj pandemie.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar gjatë konferencës për medie se do të shtohen ekipet e vaksinimit, por edhe punonjësit e tjerë shëndetësor nëpër sektorë të ndryshëm.
Ai u shpreh se kanë marrë miratim nga Ministria e Financave që të shtojnë resurset njerëzore, në mënyrë që të jenë të përgatitur.
“Do të rekrutojmë me procedura sa më të shpejta 1 mijë punonjës shëndetësor në SHSKUK, në IKSHPK, ne inspektorat e vende të tjera”, tha Vitia.
Vitia u shpreh se “Qysh nesër do t’i propozojmë Qeverisë për marrjen e masave kufizuese që do të prekin disa sektorë, por që janë të domosdoshme”.
“Do të propozojmë të mbyllen për një kohë klubet e natës, të reduktohet orari i gastronomisë. Ndërsa do të propozojmë edhe një zgjidhje për dasmat, me shumë kufizime të reja për shkak të rezervimeve të mëhershme që kanë bërë qytetarët tanë”, tha ministri Vitia.
Ai u shpreh se, “Arsyeja pse masat kufizuese do të merren në këta sektorë është sepse është evidente që shpërndarja e virusit po vjen nga grumbullimi i madh dhe mos-respektimi i këtyre masave”, tha Vitia.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë takimit që pati sot me Odën e Hotelerisë dhe Turizmit janë pajtuar që të marrin masa të reja anti-COVID.
Nga kjo Odë kanë njoftuar se nga data 20 gusht, do të mbyllen klubet e natës, deri më 1 shtator, ndërkaq restorantet e kafeteritë do të punojnë deri në ora 22:30.
Sipas njoftimit, do të zvogëlohet edhe numri i dasmorëve nëpër dasma, nga 300 sa ishte në 150 dasmorë.
“Masat janë nga data 20.08.2021: Sallat e dasmave deri në ora 22:30, kapaciteti i klientëve 150 të pranishëm. Klubet e natës dhe diskotekat mbyllen deri më 01.09.2021. Të gjitha restorantet ditore, kafiteritë etj punojnë deri 22:30”, thuhet në njoftimin e Odës, Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës.
Tutje, bëhet e ditur se “Nga data 20.08.2021 pa dëshmi vaksinimi apo test PCR nuk lejohen klientët në asnjë nga ambientet Hoteliere-Gastronomike”.
Vitia konfirmoi se ekipet e vaksinimit do të punojnë edhe gjatë të shtunave.