Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në mbledhjen e sotme të Kryesisë ka miratuar edhe gjashtë kandidatura për kryetarë të komunave.
Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Gjilan do të kandidojë Leonora Morina – Bunjaku, në Suharekë – Murtez Zekolli, Vushtrri – Ferit Idrizi, Kamenicë – Muhamed Kallaba, Lipjan – Hyzer Rizani si dhe Han i Elezit – Mehmet Ballazhi.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se po punon nga afër me secilën Degë të PDK-së për të përgatitur listat më të mira zgjedhore, përcjell Klankosova.tv.
Ai tha se PDK do të ofrojë para qytetarëve të secilës Komunë në Kosovë njerëzit më të mirë, profesionistë, atdhetarë, gra e të rinj të shkolluar, për të siguruar fitore në shumicën e komunave të vendit.
“Partia Demokratike e Kosovës ka shtrirjen më të madhe politike anekënd Kosovës dhe kandidatët tanë për kryetarë komunash dhe ata për Kuvende Komunale do të jenë përfaqësuesit më të denjë të qytetarëve në secilën Komunë. Vajza e djem të ri po na bashkohen çdo ditë në vizionin tonë për të ardhmen e Kosovës. PDK do të vazhdojë të hapet dhe tu ofrojë mundësi secilit profesionistë e qytetarë për të punuar së bashku në forcimin dhe zhvillimin e vendit”, tha Krasniqi.
Partia Demokratike e Kosovës, gjatë ditëve të ardhshme do të zyrtarizoj edhe kandidatët tjerë për kryetarë të komunave si dhe do të finalizojë listën e kandidatëve për Kuvende Komunale.