Kur Lionel Messi bëri debutimin ndërkombëtar në vitin 2005 si 18-vjeçar për skuadrën e fuqishme të Argjentinës, ai nuk ka mundur të imagjinojë se do t’i duhen 16 vjet që më në fund të fitojë trofe për vendin e tij. Messi atëbotë luante rregullisht për Barcelonën dhe fitoi rastin tek Argjentina e mbushur me yje.
Gjashtë herë fituesi i Topit të Artë është dashur të përballojë shumë momente të dëshpërimit, duke përfshirë humbjen e katër finaleve, para se ta udhëhiqte vendin e tij drejt fitores 1:0 ndaj rivalit të madh, Brazilit, në finale të Copa America. Ndeshja është luajtur në stadiumin ikonik “Maracana” në Rio de Janeiro të Brazilit, të shtunën mbrëma.
Me gjithë karrierën e jashtëzakonshme, gjatë së cilës e udhëhoqi Barcelonën drejt katër triumfeve në Ligën e Kampionëve, shpresat e Messit për të pasur sukses të përafërt në skenën ndërkombëtare kanë përfunduar vazhdimisht me dëshpërim. Ai me Barcelonën ka edhe dhjetë tituj të La Ligas dhe shtatë kupa të Spanjës.
Në finale, Messi nuk ishte i frymëzuar siç ishte gjatë turneut. Madje humbi një rast të mirë në fund të ndeshjes kur u gjend përballë portierit të Brazilit, Ederson.
Por, mënyra se si bashkëlojtarët e hodhën në ajër pas vërshëllimës së fundit, dëshmoi se sa i rëndësishëm dhe sa i çmuar është Messi në kampin argjentinas.
“Ishte ëndërr imja. Ishte gjëja që kam dashur më së shumti në botë”, ka thënë portieri i Argjentinës, Emiliano Martinez pas triumfitt. “Ishte dhuratë për Messin, që e ka merituar më së shumti”.
Tri herë në të kaluarën – 2007, 2015 dhe 2016 – Argjentina e Messit ka humbur në finale të Copa Americas. Argjentinasit u mposhtën 1:0 në finale të Kupës së Botës në vitin 2014, nga Gjermania në Maracana.
Historia nuk u përsërit këtë herë me Messin që jo vetëm inspiroi ekipin e tij, por e përfundoi turneun si golashënuesi më i mirë dhe si lojtari me më së shumti asistime.
Messi është shpallur lojtar i turneut, gjatë të cilit ka barazuar dhe më pas ka thyer rekordin e Javier Masceranos prej 147 paraqitjeve për Argjentinën. Finalja e së shtunës ishte ndeshja e 151-të për Argjentinën.
Katër golat e tij në garë e dërguan shifrën e golave për vendin në 76. Është vetëm një gol larg rekordit për Amerikën e Jugut, që e mban Pele i Brazilit.
Fitimi i këtij turneu nuk ishte një e arritur e thjeshtë për Argjentinën që ishte dominuar nga Brazili në gjysmëfinale dy vjet më parë. Argjentina kishte 28 vjet pa trofe të madh, ndërsa nuk kishte fituar ndaj Brazilit në Brazil që prej vitit 1998. Ishte miqësore ajo ndeshje, kurse Brazili në shtëpi nuk kishte humbur për 2553 ditë.
Neymari, që mungoi në fitoren e para dy vjetëve për shkak të një lëndimi, po ashtu ka qenë në kërkim të titullit të parë të madh me Selecao. Pritja e yllit brazilian vazhdon, por 29-vjeçari është pesë vjet më i ri se Messi, që luajti për herë të gjashtë në Copa America.
Ndonëse nuk ka qenë në gjendje të përsëritë me Argjentinën suksesin që kishte në nivel klubesh, Messi asnjëherë nuk është ndalur së provuari dhe ka udhëhequr gjithnjë Argjentinën në mënyrë shembullore.
Në Copa America, Messi derdhi gjak për të siguruar triumfin. Ai lëndoi kyçin e këmbës në gjysmëfinale ndaj Kolumbisë dhe u djersit shumë për ta udhëhequr ekipin në finale.
Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni ka zbuluar se Messi kishte edhe një lëndim tjetër me të cilin u paraqit në finale.
“Nëse argjentinasit do ta njihnin si e njohim ne trajnerët dhe lojtarët, do ta donin edhe më shumë se që e duan”, ka thënë Scaloni.
Pos golave dhe asistimeve, Messi ka qenë në qendër të thuajse çdo lëvizjeje sulmuese të Argjentinës.
Për befasinë e disave, Scaloni e ka përshkruar atë si “më të madhin e të gjitha kohëve”.
Duke fituar medaljen e artë olimpike me Argjentinën U23 në Pekin në vitin 2008 dhe duke fituar titullin e botës U20 tri vjet më herët, Messi më në fund ka titull te të rriturit, për të cilin ka luftuar aq gjatë.
Dhe me këtë formë, pakkush do të vinte bast se ai nuk është në gjendje ta udhëheqë Argjentinën drejt lavdisë në Kupën e Botës në Katar, vitin e ardhshëm.
Messi 34-vjeçar ka luajtur në turneun e dhjetë për Argjentinën, ndërsa e përfundoi garën me katër gola e pesë asistime.
“Është çmenduri. Ndjenja, lumturia, është e papërshkrueshme. E kam ditur se në një moment do të ndodhë”, ka thënë Messi. “Objektivi ishte i qartë dhe ne ia dolëm të shpallemi kampionë. Gëzimi është i jashtëzakonshëm. Shumë herë kam ëndërruar për këtë. I kam thënë Di Marias se sot do ta marr revanshin dhe kështu ndodhi. Dua ta ndaj këtë sukses me bashkëlojtarët me të cilët shumë herë ishim fare pranë. Ky sukses është edhe për ata”, ka vazhduar Messi.
Di Maria e shënoi golin e fitores në finale. Triumfi në Brazil i jep dimension tjetër titullit.
“Ndiej se Zoti e ka ruajtur këtë moment për mua. Ndaj Brazilit, në finale dhe në Brazil. Merita të mëdha i takojnë trajnerit Lionel Scaloni. Ai gjithnjë e ka dashur më të mirën për ekipin nacional. Ai ka ditur se si të formojë një ekip fitues dhe meriton lëvdata”.
Messi ka pranuar se mungesa e suksesit me Argjentinën ishte barrë për të. Tani e ka larguar një pengesë të madhe dhe suksese të tjera priten. Por, Messi fillimisht po e shijon suksesin e pritur gjatë.
“Mendoj se nuk ka moment më të mirë se ky”, ka thënë superylli.