PDK tërheq propozimin për rezolutë, përfundon seanca

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se Partia Demokratike e Kosovës është tërhequr nga propozimi për rezolutë.

Osmani pohoi se pas tërheqjes së propozimit nga PDK, seanca mbyllet, transmeton Telegrafi.

“Meqenëse propozuesi e ka tërheq propozimin, mbyllet seanca pasi nuk ka se si të hapet debati më tej”, tha Osmani.

Seanca e jashtëzakonshme kishte filluar rreth orës 11:00. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza kishte propozuar që të votohet mocioni procedural për përfshirjen e dy projektligjeve, por ky propozim i Hamzës u hedh poshtë nga kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Bëhej fjalë për dy projektligje, një për masat e përkohshme për të lehtësuar efektin e pandemisë së koronavirusit dhe projektligjin për plotësimin e ndryshimeve të masave fiskale.

Osmani ka pohuar se rendi i ditës për seancë të jashtëzakonshme duhet të caktohet paraprakisht dhe të mos ndryshohet në seancë.

Ndryshe, kjo seancë ishte thirrur nga 48 deputetë për të diskutuar pakon emergjente prej 320 milionë euro të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, për t’u përballuar me krizën e shkaktuar nga pandemia COVID-19.