Masat e reja të Qeverisë, Lumezi thotë se do të shqyrtohet a ka vepër penale

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, e ka cilësuar “kontestuese” çështjen e moszbatimit të mundshëm të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga Qeveria e Kosovës.

Më 31 mars, Gjykata Kushtetuese konstatoi se vendim i qeverisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve ishte në shpërputhje me Kushtetutën.

Kushtetuesja tha se vendimi i kufizimit të lëvizjes do të mbetet në fuqi deri më 13 prill. Ky aktgjykim i organit më të lartë të drejtësisë në vend, nuk po zbatohet nga Qeveria e Kosovës.

Mirëpo, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, është shprehur i pasigurt nëse ekziston bazë juridike për fillimin e procedurës penale ndaj Qeverisë së Kosovës.

Lumezi ka nënvizuar se nuk dihet në qoftë se moszbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese parashihet të jetë vepër penale, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Kjo është një çështje kontestuese. Moszbatimi i vendimeve të gjykatave të rregullta është vepër penale, ndërkaq moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, as unë nuk mund të them me siguri në qoftë se ka bazë juridike për fillimin e ndjekjes penale ndaj dikujt”, ka thënë Lumezi për Insajderin.

Kryeprokurori i Shtetit konsideron se ende nuk ka bazë të mjaftueshme për fillimin e procedurës penale ndaj të dyshuarve për moszbatimin e vendimit të 31 marsit, të Gjykatës Kushtetuese.

“Ende nuk kemi bazë të mjaftueshme për të filluar procedurën penale. Jo hetimet. Hetimet janë një stad më i lartë i procedurës penale”, ka thënë Lumezi. “Kështu që, vetëm moszbatimi i vendimeve gjyqësore të gjykatave të rregullta konsiderohet vepër penale”.

Megjithatë, Kryeprokurori Lumezi ka paralajmëruar se kjo çështje do të shqyrtohet nga Prokuroria e Shtetit.

“Me patjetër, do ta shqyrtojmë dhe do të vendosim në qoftë se ka elemente të veprës penale për të filluar ndjekjen ndaj dikujt. Por, ende nuk e kemi shqyrtuar”, ka thënë ai, në një bisedë me gazetën.

Të dielën, kur u shfuqizua vendimi i Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, Ministria e Shëndetësisë, e autorizuar nga qeveria, prezantoi masat e reja të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve.

Vendimi, sipas qeverisë është mbështetur në dispozitat ligjore të Ligjit për luftimin dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse si dhe duke u bazuar në konstatimet e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, numër KO54/20, të datës 31 mars 2020.

Në bazë të këtij vendimi, që nga data 15 prill në ora 06:00, qytetarët e Kosovës nuk do të lejohen të dalin nga shtëpitë. Ata do të kenë të drejtë të lëvizin në rrugë vetëm për 1 orë e gjysmë në ditë, dhe atë vetëm për nevoja thelbësore.