Pallaska: Masat e reja, shpërfillje e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese

Avokati Dastid Pallaska thotë se Ministria e Shëndetësisë me vendimin për masat e reja kufizuese për qytetarët e ka shpërfill aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, është kufizuar edhe më shumë liria e lëvizjes e cila mund të bëhet vetëm kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme.

Pallaska mendon se masat e prezantuara sot paraqesin gjendje të jashtëzakonshme.

Shkrimi i plotë i Pallaskës në Facebook:

Masat e reja kufizuese të Ministrisë së Shëndetësisë paraqesin gjendje të jashtëzakonshme në secilin aspekt përveç në emër.

Për më keq, vendimi për masat e reja kufizuese përmban të gjitha kufizimet e gjendjes së jashtëzakonshme por jo edhe përfitimet juridike, ndër të cilat më i rëndësishmi është pezullimi automatik i detyrimeve dhe afateve ligjore.

Në fund, por jo për nga rëndësia, vendimi për masat e reja kufizuese paraqet shpërfillje të pashembullt të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese pasi që liria e lëvizjes sërish është kufizuar në nivel vendi – madje në shkallë edhe më të lartë – me një vendim të vetëm dhe atë pa plotësim/ndryshim të bazës ligjore e cila nga Gjykata Kushtetuese është vlerësuar si e pamjaftueshme për kufizime të tilla të lirisë së lëvizjes.