Shkarkimi i Valdete Dakës: PDK mbledh nënshkrime për ta çuar në Kushtetuese, vendimin e presidentes

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra ka konfirmuar se i kanë të gjitha nënshkrimet e nevojshme për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese, vendimin e presidentes, Vjosa Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), shkruan Gazeta Metro.


Blerta Deliu-Kodra i ka bërë thirrje edhe partive të tjera që të bashkohen në këtë iniciativë të PDK’së.

“PDK’ja i ka të gjitha nënshkrimet e nevojshme që vendimin e Osmanit për shkarkimin e zonjës Daka ta çojë në Gjykatën Kushtetuese. I ftojmë edhe partitë e tjera që të na bashkëngjiten”, ka thënë ajo. 

Lidhur me vendimin për shkarkimin e Dakës, Deliu-Kodra tha se vlerësojnë se është tendencë për një qeverisje autoritare.

”PDK’ja ketë vendim e sheh si tendencë të një qeverisje autoritare, e cila provon që të vë kontroll në të gjitha institucionet kyçe. Shkarkimi është politik dhe dëmton demokracinë. Shkarkimi i saj është bërë pas zgjedhjeve të rregullta dhe demokratike që morën vlerësime edhe nga ndërkombëtarët”, ka thënë Deliu Kodra.

Sipas saj, Osmani e ka zbatuar urdhrin e kryeministrit Albin Kurti për shkarkimin e Dakës nga KQZ’ja.

“PDK’ja vlerëson që shkarkimi i saj është kryekëput politik,. Presidentja Osmani e ka shkelur Kushtetutën duke e zbatuar urdhrin e Albin Kurtit dhe VV’së për kapjen e këtij institucioni”, ka thënë Deliu Kodra.

Fjalë të mira ajo pati për punën që Daka e ka bërë për disa vite në krye të KQZ’së. 

Deli-Kodra poashtu përmendi edhe siç i ka quajtur ajo presionet e anëtarëve të VV’së në KQZ, kundrejt Dakës.