Borrell flet para para takimit Kurti-Vuçiq: E dimë se dy dialog nuk do të jetë i lehtë

Kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka arritur në objektin e BE-së ku bashkë me Emisarin Special të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, do të takojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Borrell, në një prononcim për media para takimit, përsëriti se rruga e Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së është vazhdimi i dialogut.

“Sot bashkë me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të jemi nikoqirë të një takimi të ri të nivelit të lartë të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Jam i lumtur që po ndodh në kohën e njëjtë kur Bashkimi Europian do të takohet me presidentin amerikan, Joe Biden, këtu në Bruksel. Është kënaqësi të takoj dhe të mirëpres në Bruksel presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, jo shumë kohë pas vizitës bilaterale në Bruksel”.

“Unë atëherë i kam inkurajuar të dy që të vazhdojnë me takimet në kuadër të dialogut, pa vonesa, dhe me fokusin për të prodhuar rezultate pavarësisht të gjitha pengesave ekzistuese. Ne e dimë se ky dialog nuk do të jetë i lehtë, por ky proces dhe përkushtimi i sinqertë nga të dyja palët është i nevojshëm për të mirën e popullit të Kosovës dhe Serbisë. Le të jemi të qartë – dialogu dhe rezultati i tij është rruga drejt të ardhmes europiane për të dyja vendet”.

“Është momentum i ri në Europë për Ballkanin Perëndimor dhe mendoj se është e rëndësishme për tërë rajonin që ta shohin këtë mundësi. Kjo mundësi është për gjithë rajonin, jo veç për Kosovën dhe Serbinë, sepse marrëdhëniet mes tyre janë shumë të rëndësishme për stabilitetin e gjithë rajonit”.