Një ngjarje e rëndë ndodhi të shtunën mbrëma në fshatin Sopniq të Rahovecit.
Një 65 vjeçar dyshohet se u vra nga vëllai i tij për motive banale.
I plagosuri ishte dërguar në fillim në QKMF-në e Rahovecit e më pas në Spitalin Rajonal të Gjakovës.
Mjeku kujdestar, Jeton Vorfi, thotë se 65-vjeçari erdhi në spital me tri plagë të rënda që ishin fatale për jetën e tij.
“65-vjeçari ka ardhur i gjallë, por në gjendje shumë kritike. Për shkak se ka pasur dy plagë hyrëse-dalëse në gjoks dhe një në qafë pacienti është reanimuar dhe i është vendosur edhe një tub torakal për të mos i dalë gjaku, mirëpo lëndimet kanë qenë shumë serioze dhe nuk iu ka mbijetuar pas gjysmë ore”, shprehet për RTV Dukagjinin, mjeku Jeton Vorfi.
Kryetari i fshatit tregon se edhe në të kaluarën vëllezërit kishin pasur mosmarrëveshje, por që me ndërmjetësimin e fshatarëve janë pajtuar.
“Janë vëllezër në mes veti dhe një mosmarrëveshje e vogël duket se ka çuar në tragjedi. Ne të gjithë kemi mosmarrëveshje nga pak me njëri-tjetrin. Këta edhe më herët kanë pasur mosmarrëveshje të vogël, por unë pata insistuar të pajtohen. Kur iu ka vdekur nëna, djemtë e të ndjerit e patën marrë axhën dhe nuk kanë pasur më mosmarrëveshje. Tash kemi mbetur pa fjalë. Nuk ka as tri-katër ditë që kemi qëndruar së bashku në park. Sipas djemve të tyre, zënka e tanishme ka ndodhur për disa fjalë. Thjesht problem familjar”, tregon kryetari i fshatit Melsur Gashi.
I dyshuari për këtë rast sipas policisë është arrestuar dhe dërguar në paraburgim për 48 orë.