Gjykata e Posaçme dënoi me 2 vite burg ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”. Gjithashtu atij i hiqet e drejta për 5 vjet nga ushtrimi i posteve publike.
Procesi ndaj tij u ndoq dhe nga vëzhgues të ambasadës amerikane.
“Burgun ta kryejë në burg të sigurisë së zakonshme, menjëherë sapo të marrë formë të prerë”, u shpreh në seancë gjyqtarja Daniela Shirka.
Llalla është zyrtari më i lartë i dënuar ndonjëherë në Shqipëri.
Atij do t’i konfiskohet pasuria: Një apartament në Durrës dhe 3 tokë arë janë pronat që janë sekuestruar dhe kjo me kërkesën e SPAK.
Çfarë ndodhi më herët?
Gjatë seancës së sotme nëpërmjet avokatit, Llalla kërkoi pafajësi, teksa e konsideroi akuzën ndaj tij si të stisur, mëson Top Channel.
Gjatë mbrojtjes, Hazizaj tha se ata pranojnë vetëm një mosdeklarim, por e quan gabim njerëzor.
Bëhet fjalë për 7050 dollarët që Llalla nuk i ka deklaruar që korrespodojnë me kohën e Gjermanisë dhe sipas avokatit pranojnë mos deklarimin e tyre të shpenzuar në Gjermani, por e lidh me gjendjen emocionale të familjes dhe Llallës. Duke qenë se në atë kohë ka qenë në kushte emergjence familja për arsye të sigurisë dhe është detyruar të lëvizë.
2 rastet e tjera të mosdeklarimit mohohen nga Llalla.
Avokati i tij tha se çështja është e paragjykuar e padrejtë dhe e stisur.
Të gjithë mbrojtjen e avokatit, Llalla e konfirmoi vetëm duke thënë: Jam dakord me avokatin.
Prej shkurtit 2018, Llalla është pjesë e listës së zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, që i ka ndaluar hyrjen në SHBA atij dhe familjarëve.