Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka treguar disa veprime që kanë ndërmarrë në kuadër të një fushate
“Janë ndërmarrë disa veprime që janë në kuadër të një fushate për rikthimin e rregullsisë dhe eliminimin e metodave apo veprimeve që dëmtojnë buxhetin e shtetit ose konkurrencën e lirë qoftë përmes futjes së parave të pista në treg apo përmes veprimeve të tjera të dyshimta”.
“Në kuadër të kësaj fushate mund të cekim raportimet që janë bërë javën e fundit. Kishim rastin ku u arrestuan 10 zyrtarë doganorë në kuadër të dy operacioneve – njëri ishte për kontrabandimin e duhanit dhe tjetri për kontrabandimin e barnave. Ajo ishte rezultat i punës që ka bërë trupa hetimore brenda Doganës së Kosovës. Po ashtu me fillimin e mandatit kemi marrë edhe operacione të tjera për të identifikuar kontrata që janë pa mbulesë. Kemi kërkuar nga të gjitha organizatat buxhetore të na njoftojnë për kontratat që janë pa mbulesë apo alokim buxhetor që të kemi inventarizim dhe të shohim se cilat organizata buxhetore e kanë tejkaluar hapësirën fiskale dhe kanë nënshkruar kontrata të tilla që krijojnë obligime pa mbulesë për buxhetin e vendit”.
Murati, në një konferencë për media, ka njoftuar se kanë identifikuar disa transfere të dyshimta.
“Disa prej tyre janë identifikuar prej barazimit që është kërkuar më 11 maj. Kemi një organizatë buxhetore prej të cilës kur është kërkuar barazimi më 12 maj jemi njoftuar që ka pasë pagesë të dyfishtë dhe jemi duke u marrë me këtë rast. Ka edhe raste të tjera kur ka pasë sinjalizues për organizata të tjera buxhetore që na kanë njoftuar për pagesa të parregullta dhe në të gjitha këto raste kemi ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm ligjorë që na lejohet si ekzekutiv në mënyrë që të vihet rend dhe rregull. Kjo nuk do të mjaftohet vetëm në aspektin financiar, por keqbërësit do t’i ndjekim deri në fund”.