Schalke njofton për largimin e Mustafit

Qendërmbrojtësi Shkodran Mustafi nuk do të jetë pjesë e skuadrës së Schalkes pas përfundimit të sezonit aktual.

Ekipi gjerman që sezonin tjetër do të bëjë gara në Bundesligën 2, ka njoftuar se Mustafit nuk do t’i vazhdohet kontrata që i skadon në muajin e ardhshëm.

Krahas Mustafit, Schalke ka bërë të ditur se do të largohen edhe nëntë futbollistë të tjerë nga klubi gjatë kësaj vere.

“Kontratat e Benjamin Stamboulit dhe Bastian Oczipka përfundojnë me rënien në Bundesligën 2. Për më tepër, kontratat e skaduara të Steven Skrzybskit, Alessandro Schopfit, Shkodran Mustafit dhe Nabil Bentalebit nuk do të vazhdohen”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Schalkes që futbollistëve u ka dëshiruar suksese në të ardhmen.

Mustafi 29-vjeçar iu bashkua Schalkes në fillim të këtij viti dhe firmosi kontratë për gjashtë muaj me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër.

Te Schalke, Mustafi ka regjistruar 12 paraqitje në Bundesligë dhe ka shënuar një gol. Ai karrierë ka bërë edhe te Arsenali, Valencia e Sampdoria.