Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, e ka akuzuar Qeverinë Kurti duke thënë se nuk ka bërë asgjë për të gjithë ata që tani e më shumë se një vit janë në vijën e parë të ballafaqimit me pandeminë COVID-19.
Dreshaj, në seancën e sotme në të cilën është thirrur në interpelancë ministri Hekuran Murati, tha se gjatë këtyre 60 ditëve të kësaj qeverie nuk është parë ndonjë aktivitet që ndikon në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Qeveria Kurti 2 tashmë ka kaluar 60 ditë të qeverisjes së saj. Këto 60 ditë fatkeqësisht nuk u shquan me ndonjë aktivitet që në jetën e qytetarit të ndikojë pozitivisht. Premtimet elektorale që keni dhënë gjatë fushatës zgjedhore paskan qenë një farsë për më shumë vota. Më kujtohet këtu nje deputete e juaja që deklaronte që programi juaj zgjedhor ishte më shumë program dëshiror sesa realitet. E vërtetë paska qenë”.
Dreshaj shtoi se në vend të stimulimit për mjekët, infermierët dhe stafin mbështetës shëndetësor, Qeveria Kurti ia ka ulur shtesat nga 250 në 150 euro.
“Që nga fillimi i pandemisë COVID-19 e deri në këtë moment që po flasim janë disa heronj me mantel të bardhë që po bëjnë një punë vetëmohuese atje jashtë. Ata janë mjekët, infermierët, stafi mbështetës e i gjithë stafi shëndetësor që nuk e kanë kursyer as jetën e tyre në përballje me pandeminë. E qka bën Qeveria Kurti 2?”.
“Në vend që t’i stimulojë këto shtresa në këtë kohë të vështirë kjo qeveri i zvogëlon shtesat për mjekët tanë nga 250 në 150 euro. Pra, në mes të pandemisë gjithsejtë 3970 mjekëve ua bën këtë. Përkthyer në shifra kjo do të thotë që për tre muaj përmes zvogëlimit për 100 euro të shtesave për mjekët me një vendim ad-hoc në emër të mungesës së buxhetit i kursyet 1,191,000 euro. Bravo!”.
“Mantelbardhët që deri dje i quanit heronj shumë shpejt me veprime të këtilla fatkeqësisht do t’i ktheni në lypsarë!”.