Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas lajmit se Ministria e Jashtme ka propozuar që të lirohen nga detyra disa prej ambasadorëve të cilët i qeveria i cilëson si të emëruar politikisht.
Haradinaj thotë se ky vendim është i papjekur politikisht dhe mund të ketë ndikim negativ në politikën e jashtme të Kosovës.
“Vendimi i sotëm i presidentes së Kosovës, me nismën e Ministres së Jashtme, për lirimin nga detyra të një numri ambasadorësh të Kosovës është i paprecedent dhe i papjekur politikisht që do të ketë ndikime negative në politikën e jashtme të Kosovës. Largimi i paparalajmëruar i Ambasadorëve të Kosovës, në mes të detyrës, në një periudhë të sfidave për shtetësinë e Kosovës e dobëson pozitën e saj dhe e dëmton angazhimin në ndërtimin e partneritet serioz me shtetet pritëse”, ka thënë ai.
Ai thotë se asnjë prej ambasadorëve nuk i ka shërbyer ndonjë partie politike.
“Asnjëri prej ambasadorëve të dërguar sipas “çelësit politik” nuk ka shërbyer në emër të partisë apo të individëve, por kanë kryer me nder detyrën në shërbim të shtetit të Kosovës, avancimit të pozitës së tij dhe në shërbim të qytetarëve të Kosovës e bashkatdhetarëve tanë. Kthimi i ambasadorëve të Kosovës para kohe dhe në mënyrë të fshehtë, tregon mbi politikat pa vizion të Qeverisë së tashme dhe dëshmon përpjekjet për t’i përvetësuar institucionet e Kosovës në dëm të shtetit dhe të qytetarëve të tij. Ndryshimi nuk mund të vijë me përpjekjet për rrënim të vendit dhe të partneritetit të tij me shtetet e tjera të ndërtuar me mund”, shtoi ai.