Në Gjykatën Speciale po mbahet konferenca e pestë për ecurinë e rastit të Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
Në këtë proces, avokati i Thaçit, Pierre Richard Prosper, tha që aktualisht informacioni dhe dokumentacioni që kanë në dispozicion, nuk është i plotë, njofton Klankosova.tv.
“Ne po e sitim materialin që na është ofruar nga Zyra e Prokurorisë dhe siç u theksua edhe nga Prokurori, informacioni nuk është i plotë, pra kemi ende informacion që mungon. Po shohim që ka prova materiale të cilat janë përmendur në dokumente ose deklarata të ndryshme, të cilat nuk na janë vënë në dispozicion”.
Tutje Prosper theksoi që informacioni që e kanë në dorë për momentin nuk mund të lexohet dhe se nuk mund të kundërshtojnë diçka pasi ende nuk kanë pranuar informacionet e plota.
“Ne ende po mundohemi që të përpunojmë dhe të analizojmë informacionin, por besojmë që duhet nxjerrë më shumë informacion. Informacioni që na është vënë në dispozicion është e një cilësie shumë të keqe dhe i palexueshëm. Aktualisht ne po hartojmë një tabelë me të cilën do ti drejtohemi më vonë Prokurorisë nëse mund ta zgjidhim këtë çështje ose jo. Për momentin, mund të them që informacioni dhe dokumentacioni që kemi në dispozicion, nuk është i plotë”.
“Prokuroria ka 5 vjet që punon dhe duhet të ishte gati. Ata e kanë paraqitur aktakuzën para 1 viti e gjysmë dhe tash ankohen se kanë punë tjera. Përse po e bëni aktakuzën atëherë? Na keni vënë në një pozitë ku klientët tanë kanë humbur lirinë pse Prokuroria nuk është gati dhe ne po marrim materialin sipas tekave të tyre. Kjo është shqetësuese për ne dhe shkel të drejtat e njeriut. Është një gjë që na shqetëson dhe duhet rregulluar menjëherë”, ka thënë ai.