Sekretari elektoral i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi në një konferencë për media ka kritikuar Presidenten Vjosa Osmani për mosemërimin e dy përfaqësuesve të partive politike në KQZ, e cila e ka dërguar çështjen në Gjykatë Kushtetuese për interpretim.
Gjoshi ka theksuar se PDK i është përgjigjur ftesës së Presidentes Osmani për të nominuar përfaqësuesit për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke u mbështetur në të drejtën që i jep Kushtetuta e vendit për të emëruar dy përfaqësues në KQZ si grupi i dytë më i madh parlamentar.
“Duke iu bindur Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Kurti, zonja Osmani po bën shkelje të Kushtetutës së Kosovës duke i pamundësuar Partisë Demokratike të Kosovës përfaqësimin e dytë në KQZ si dhe duke mos e njohur të drejtën e subjektit politik VAKAT, më i votuari në radhët e subjekteve të komunitetit boshnjak.”, ka thënë ai.
Sipas Gjoshit, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti, përmes orvatjeve në Gjykatën Kushtetuese, po tentojnë t’ia vjedhin PDK-së përfaqësimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që ia ka dhënë Kushtetuta, për t’i bërë vend në KQZ anëtarit të tretë të Vetëvendosjes, që në këtë rast është bashkëpartiakja e Osmanit, Gresa Bytyqi Kelmendi, e cila ka garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit me numrin 80 nga “Lista Guxo.
“Ne jemi të shqetësuar nga faktet e prezantuara në media, që tregojnë se zonja Osmani po shfrytëzon zyrën e Presidencës për nevoja të subjektit të saj politik, iniciativës qytetare “Lista Guxo”. Anshmëria politike e Presidentes Osmani, duke favorizuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe subjektin e saj “Lista Guxo” është e rrezikshme për demokracinë dhe funksionimin e institucioneve të pavarura kushtetuese. Është shkelje flagrante e Kushtetutës së Kosovës.”
Deklarata e plotë e Betim Gjoshit:
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Ju urojmë mirëseardhje në këtë konferencë të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila vjen si rezultat i cenimit të paprecedentë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
“Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson unitetin e popullit”, si dhe “garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë”. Kështu thuhet në nenet 83 dhe 84 të Kushtetutës së Kosovës, por Presidentja e Republikës po vepron në kundërshtim të plotë me detyrimet që ia jep Kushtetuta e vendit.
Presidentja Osmani po vepron nën diktatin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe si drejtuese e iniciativës qytetare “Lista Guxo”.
Në vend se të kujdeset për funksionimin kushtetues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zonja Osmani është vënë në shërbim të partisë në pushtet. Çështjet të cilat ajo po i dërgon në Gjykatën Kushtetuese janë në pajtueshmëri me deklarimet për media të zyrtarëve të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në këtë mënyrë, zonja Osmani po e luan rolin e parashkruar nga kryetari i Vetëvendosjes si një notere dhe jo nga rregullat që ja përcakton Kushtetuta e vendit.
Duke iu bindur Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Kurti, zonja Osmani po bën shkelje të Kushtetutës së Kosovës duke i pamundësuar Partisë Demokratike të Kosovës përfaqësimin e dytë në KQZ si dhe duke mos e njohur të drejtën e subjektit politik VAKAT, më i votuari në radhët e subjekteve të komunitetit boshnjak.
Partia Demokratike e Kosovës i është përgjigjur ftesës së Presidentes Osmani për të nominuar përfaqësuesit për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke u mbështetur në të drejtën tonë që na jep Kushtetuta e vendit.
Por, Presidentja e vendit nuk ka njohur të drejtën tonë kushtetuese, në këtë rast, për të pasur dy përfaqësues në KQZ, sepse po tenton që t’i bëjë vend në KQZ anëtarit të tretë të Vetëvendosjes, e që në këtë rast është një bashkëpartiake e Osmanit.
Fjala është për Gresa Bytyqi Kelmendi, e cila ka garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit me numrin 80 nga “Lista Guxo” e zonjës Osmani.
Në nenin 139 të Kushtetutës së Kosovës është saktësuar qartë se si bëhet emërimi i anëtarëve nga radhët e grupeve parlamentare shqiptare. “Gjashtë anëtarë emërohen nga pjestarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilat nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara. Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë”, thuhet aty.
Pra, ky nen është shumë i qartë. Siç e dini, nga zgjedhjet e 14 shkurtit në Kuvendin e Kosovës nuk janë 6, por 4 grupe parlamentare shqiptare: Vetëvendosje, PDK, LDK dhe AAK. Në këtë rast, kur ka më pak se 6 grupe parlamentare, grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë.
Kësaj radhe janë dy grupe më të mëdha që i përgjigjen situatës, Vetëvendosje dhe PDK. Presidentja Osmani e ka emëruar anëtarin e dytë shtesë të Vetëvendosjes, por jo edhe të PDK-së.
Kushtetuta është e qartë, por zonja Osmani ka vendosur t’i bindet pikëpyetjeve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat janë të sinkronizuara në këtë rast, sepse emri i tretë i propozuar nga ky subjekt politik është ish-kandidatja për deputete nga radhët e subjektit politik të zonjës Osmani, “Lista Guxo”.
Ne jemi të shqetësuar nga faktet e prezantuara në media, që tregojnë se zonja Osmani po shfrytëzon zyrën e Presidencës për nevoja të subjektit të saj politik, iniciativës qytetare “Lista Guxo”.
Anshmëria politike e Presidentes Osmani, duke favorizuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe subjektin e saj “Lista Guxo” është e rrezikshme për demokracinë dhe funksionimin e institucioneve të pavarura kushtetuese. Është shkelje flagrante e Kushtetutës së Kosovës.
Presidentja Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, përmes orvatjeve në Gjykatën Kushtetuese, po tentojnë që t’ia vjedhin PDK-së përfaqësimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që ia ka dhënë Kushtetuta.
Besojmë fuqishëm se Gjykata Kushtetuese është institucion që e ka dëshmuar veten në mbrojtjen e kushtetuteshmërisë në vendin tonë dhe do të pamundësojë këtë lojë të shëmtuar politike për të minuar funksionimin normal të demokracisë dhe të institucioneve në vendin tonë.
Po ashtu, Presidentja Osmani po bën shkelje të Kushtetutës duke mos ia njohur të drejtën e përfaqësimit në KQZ subjektit politik nga radhët e komunitetit boshnjak, VAKAT.
Ky subjekt ka vota sa dy partitë tjera boshnjake, por edhe në këtë rast, Presidentja Osmani është në shërbim të kryeministrit Albin Kurti, i cili drejtuesen e njërës nga këto dy partitë, zonjën Emilja Redzepi, e ka emëruar zëvendëskryeministre.
Fatkeqësisht, po shihet qartë tendenca e Presidentes Osmani, që përmes diktatit të Kryeministrit Kurti, të favorizohet një subjekt politik minoritar, në këtë rast SDU-ja e zëvendëskryeministres Redzepi.
Këto nuk janë parregullsitë e vetme të shkaktuara nga Presidentja Osmani.
• Presidentja Osmani, ka shfaqur edhe mos njohje e dije rreth fushëveprimtarisë së instituticionit të Gjykatës Kushtetuese. Ky institucion e kishte deklaruar në vitin 2018 të papranueshme kërkesën për interpretimin e nenit 139 të Kushtetutës së Kosovës, të cilin poashtu ka kërkuar presidentja aktuale.
• Presidentja Osmani do të duhet që ta kompletonte përbërjen e KQZ-së brenda 60 ditëve nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, pra deri me 13 maj. Por, ajo nuk e ka bërë këtë, sepse ka emëruar vetëm 8 nga 10 anëtarët e KQZ-së, me qëllimin e vetëm që të favorizojë partinë në pushtet, e cila ka më së shumti anëtar në KQZ.
Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se këto janë veprime të rrezikshme për demokracinë e Kosovës nga Vjosa Osmani dhe Albin Kurti.
Shqetësimet e Partisë Demokratike të Kosovës se zonja Osmani asnjëherë nuk do të mund të arrijë të veprojë si një Presidente unifikuese, po dëshmohen çdo ditë.
Komunikatat dhe deklaratat e partisë së Albin Kurtit, Presidentja Osmani po i kthen në vendime e dekrete presidenciale.