Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka thënë të enjten se, partia që drejton ai, do të jetë pjesë e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Për secilën seancë tjetër, Haradinaj ka thënë se grupi parlamentar i AAK-së do të diskutojë veç e veç.
“Nuk kam përgjigjje sot”, ka thënë Haradinaj, teksa është pyetur nëse do të qëndrojë në sallë AAK-ja kur të votohet për pozitën e presidentit.
Haradinaj i ka bërë këto komente pas takimit që ka zhvilluar me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i cili ka nisur vizitën e tij në Kosovë, me qëllim të diskutimit të procesit të regjistrimit të popullsisë së diasporës.
Ditë më parë, Haradinaj ka thënë se është përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje që t’i sigurojë votat e nevojshme në kuvendin e ri, për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
“Fituesit e zgjedhjeve e gjejnë formulën për ta krijuar Qeverinë; dy të tretat për presidentin janë në përgjegjësinë e tyre”, ka thënë Haradinaj pas takimit që ka pasur të hënën me ushtruesen e detyrës së presidentit Vjosa Osmani dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.
Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, ndërsa Osmani, e cila në këto zgjedhje ka garuar në kuadër të listës së LVV-së, po kërkon një mandat të plotë në krye të shtetit.
Edhe Haradinaj ka garuar në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, duke e propozuar veten për postin e presidentit.
Pas takimit konsultativ me Osmanin dhe Kurtin më 15 mars, ai nuk ka treguar nëse ka hequr dorë nga ambicia për postin e presidentit.