Osmani mbajti takim virtual me Palmer

U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, mbajti sot takim virtual me Zëvendës Ndihmës Sekretarin në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, njëherësh përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor në DASH, Matthew Palmer.

Me këtë rast, Palmer i përcolli urime Osmanit për rezultatin në zgjedhjet parlamentare  të mbajtura me 14 shkurt, duke potencuar rëndësinë e themelimit të institucioneve e duke reflektuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

Osmani theksoi që fokusi aktual është pikërisht në themelimin e institucioneve pa vonesa në mënyrë që të evitohen krizat institucionale e kushtetuese dhe të kemi institucione të cilat reflektojnë vullnetin e qartë qytetar. Moszvarritja e procesit të certifikimit të rezultateve është tejet me rëndësi, theksoi ajo, në mënyrë që sa më parë të kemi institucione funksionale që urgjentisht merren me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.

U.d. Presidentja potencoi se qytetarët e Kosovës kanë votuar koalicionin fitues duke u bazuar në prioritetet e përcaktuara që fokusohen në luftimin e krimit e korrupsionit dhe krijimin e vendeve të punës e perspektivës për të rinjtë. Ajo shtoi se për shkak të pandemisë, sigurimi i vaksinave të mjaftueshme për qytetarët dhe menaxhimi i pandemisë e ringritja ekonomike duhet të jenë prioritete të institucioneve të reja.

Përderisa Palmer u dakordua me Osmanin që institucionet e reja duhet të fokusohen në luftimin e korrupsionit, në adresimin e pandemisë, ringritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, ai njëkohësisht theksoi rëndësinë e angazhimit aktiv në dialog, ngaqë kjo, sipas tij, do të dëshmojë përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në stabilitet, paqe dhe progres brenda vendit si dhe në rajon.

Sa i përket dialogut Kosovë – Serbi, u.d. Presidentja tha se në Kosovë është mirëpritur jashtëzakonisht shumë qasja e qartë e Presidentit Biden se dialogu duhet të përqendrohet në njohjen reciproke, ndërkaq shtoi se institucionet e Kosovës duhet të flasin me një zë, e në këtë kontekst përmendi rëndësinë e bashkëpunimit me opozitën e me shoqërinë civile si dhe koordinimin e vazhdueshëm me aleatët tanë.

Nga ana tjetër, Palmer konfirmoi që në procesin e Dialogut, SHBA-të do të jenë të përfshira si partner dhe duke i koordinuar qëndrimet me Bashkimin Evropian, gjersa theksoi që SHBA-të mbeten aleat i përhershëm i popullit të Kosovës.

Palët diskutuan edhe për situatën pandemike në Kosovë. U.d. Presidentja Osmani falënderoi z. Palmer për ndihmën financiare të ofruar nga SHBA-të, sidomos në iniciativën COVAX, nëpërmjet së cilës pritet që Kosova të sigurojë pjesën e parë të vaksinave.