TV, internet e përgatitje e ushqimit së bashku: Kështu e kalojnë ditën krerët e UÇK-së në Hagë

Ish-kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati, u arrestua nga Njësia Speciale e Policisë së EULEX-it, në shtator të vitit të kaluar. Ai, u dërgua në Gjykatën Speciale në Hagë, nën akuzat për pengim të drejtësisë dhe kanosje të dëshmitarëve.

Derisa Gucati, po gjykohet në Hagë, procesin e tij thuajse njëjtë po e përjetojnë edhe familjarët e tij.  I biri i Hysni Gucatit, Musliu për lajmi.net ka rrëfyer si e sheh familja këtë proces.

“Ne e dimë që është një proces jo i drejtë dhe arrestimin e babait në fillim e kemi prit shumë rëndë dhe kemi qenë shumë të mërzitur. Por, është krenaria ajo që nuk po na lë të mërzitemi sepse si për babin Hysni Gucatin, Nasim Haradinaj, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Salih Mustafa kanë shkuar për një kauzë dhe ideal të madh, duke mbrojtur vlerat më të mëdha të kombit shqiptar. Janë dashur 2000 vjet që të dal një lëvizje e re në vitet e ’90-ta, siç ka qenë UÇK-ja, me tërheqë vëmendjen e perëndimorëve dhe ne sot ta kemi shtetin tonë”, ka thënë Gucati.

E, mënyrën e arrestimit, pas bastisjes së zyrave nga EULEX, Gucati para gjykatës e konsideroi të panevojshëm.  Të njëjtin mendim e ndan edhe i biri i tij. Ai gjithë arrestimin e konsideron thjesht spektakël.