Monumenti NEWBORN, ka filluar të ndryshojë pamje pak ditë para 17 shkurtit, ditës së Pavarësisë së Kosovës.
NEWBORN u zbulua 13 vjet më parë dhe u bë simbol i shpalljes së pavarësisë.
Gjatë vitit të kaluar, kur Kosova shënoi 12-vjetorin e pavarësisë së saj, ky monument iu kushtua të mbijetuarve të abuzimit seksual.
Ndërsa, këtë vit do të ketë pamje të uniformës së ushtrisë, të krijuar nga duart e vetë qytetarëve, të cilëve iu mundësohet të ngjyrosin shuplakën dhe ta vendosin në monument, si shenjë respekti, dashurie dhe përkrahje për luftën tonë.
“Prandaj, nga nesër i ftojmë të gjithë qytetarët që në ditën e dashurisë, më 14 shkurt, që koincidon me ditën e zgjedhjeve, pasi të kenë votuar, që të dalin para monumentit NEWBORN dhe t’a ngjyrosin shuplakën me njërën nga ngjyrat e ushtrisë dhe ta vendosin në monument”, ka njoftuar Fisnik Ismaili.
Po ashtu, ai bëri të ditur se qytetarët mund t’iu bashkangjiten kësaj nisme deri më 16 shkurt, një ditë para përvjetorit të pavarësisë.