Kurti: Nuk duhet të lejojmë të përsëritet 25 marsi i vitit të kaluar

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti tha sot gjatë një tubimi me qytetarë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Vjosa janë bashkuar kundër korrupsionit, prapambetjes dhe kapjes së shtetit,.

Kurti ka kërkuar nga qytetarët që të votojnë masivisht për këtë bashkim në mënyrë që të siguroj shumicën parlamentare dhe të mos lejohet të përsëritet 25 marsi i vitit të kaluar, kur u rrëzuar Qeveria në mes të pandemisë me koronaviurs.

“Për ta bërë ndryshimin duhet ta sigurojmë shumicën parlamentare të nevojshme sepse nuk duhet të lejojmë që të na përsëritet 25 marsi i vitit 2020 kur u rrëzua qeveria në kulmin e pandemisë në njërën anë dhe në kulmin e punëve të mira në anën tjetër. Këtë nuk do ta lejojmë. Të dalim masivisht në zgjedhje dhe të vendosim krejt për numrin 127”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se qytetarët e dinë se VV-ja ka lëvizur drejt në këto 15 vjet të funksionimit të saj dhe se gjithçka që ka bërë, e ka bërë të mbrojtje të qytetarëve dhe Republikës.

Në këtë tubim Kurti ka falënderuar dhe lavdëruar mërgatën, duke thënë se ajo është burim i energjisë dhe dashurisë për vendin.

“Mërgata jonë është nisur me shpejtësi 127 km/orë për të votuar. Mërgatën e kemi në mendje dhe zemër, në krejt Kosovën drejt shkurtit”, ka thënë ai.