Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka filluar konsultimet me partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës për hapat që duhet të ndërmerren për tejkalimin e situatës së re politike të krijuar pas votimit të mocionit për mosbesim ndaj Qeverisë.
Presidenti Thaçi ka pritur në takime të ndara Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në dorëheqje, Albin Kurtin, Kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, si dhe Kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin.
Presidenti Thaçi ka pyetur liderët politikë se cilët hapa i shohin si rrugëdalje nga situata e re politike, por gjithmonë duke pasur parasysh emergjencën shëndetësore të shkaktuar nga virusi COVID-19.
Presidenti Thaçi do të vazhdojë konsultimet me partitë tjera parlamentare edhe nesër.
Pasi të përfundojë konsultimet me partitë politike, Presidenti i Republikës së Kosovës do të ndërmarrë hapa në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet në fuqi, duke marrë parasysh përvojën dhe procedurat gjegjëse të deritashme, por edhe duke marrë parasysh vullnetin politik të shprehur nga partitë politike.