Republikanët kërkojnë që gjyqi ndaj Trump të shtyhet për në shkurt

Republikanët në Senatin e SHBA-së po u kërkojnë Demokratëve që të vonojnë fillimin e gjyqit ndaj ish presidentit, Donald Trump, deri në muajin e ardhshëm.

Ata mendojnë se kjo do t’i jep kohë Trumpit që ta përgatisë mbrojtjen e tij. Ish presidenti i SHBA-së po akuzohet për nxitje të kryengritjes, pasi mbështetësit e tij sulmuan Kapitolin këtë muaj.

Demokratët e Dhomës së përfaqësuesve janë të gatshëm t’ia dorëzojnë akuzën Senatit.

Trump fluturoi për në Florida ndërsa mandati i tij përfundoi të mërkurën, duke lënë përurimin e pasardhësit të tij, Joe Biden.

Më 6 janar, në rolin e presidentit, ai i kishte thënë protestuesve pranë Shtëpisë së Bardhë që “në mënyrë paqësore dhe patriotike” ta bënin të dëgjuar zërin e tyre teksa, përgatiteshin të marshonin drejt ndërtesës së Kapitolit në SHBA. Ai gjithashtu u tha atyre që të “luftonin si ferri”.

Demonstrata u shndërrua e egër teksa një turmë hyri në kompleksin e kongresit ku ligjvënësit po certifikonin fitoren e Joe Biden në zgjedhje.

Katër protestues dhe një oficer i Policisë së Kapitolit vdiqën gjatë kësaj ngjarjeje.

Një javë më vonë, Donald Trump u bë presidenti i parë i SHBA-së ndaj të cilit ngriten akuzat dy herë. Gjyqi i tij në Senat do të jetë i vetmi që ka ndodhur ndonjëherë pasi një president ka lënë detyrën.