Konjufca: Valdete Daka po dëshiron eliminimin politik të Albin Kurtit

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk kanë ndonjë informacion nëse Kurtit dhe të tjerëve iu ndalohet kandidimi për deputetë.

Konjufca në “Debat Plus” tha se në Kosovë po ndjehet një rrezik për demokracinë.

“Po ndjehen disa shenja të një rreziku të demokracisë. Po bëhet cenimi i parimit të sigurisë juridike. Po bëhet ndryshimi i rregullave të lojës në mes të lojës për Albin Kurtin dhe të tjerët. Kushtetuta është e njëjta që nga viti 2008. Kurti dhe të tjerët e kanë kryer një veprim në të mirë të Kosovës për ndërprerjen e një seance të Kuvendit ku Kosova i humbi shumë hektarë tokë me demarkacionin”.

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje thotë se Kurti është lejuar më parë të jetë bartës i listës së Vetëvendosjes e tash nuk po lejohet.

Konjufca ka akuzuar kryetaren e KQZ-së Valdete Daka se po dëshiron eliminimin politik të Albin Kurtit.

“Personi që në KQZ po ndikon që edhe kërkesa me qenë sugjestive e kundër Albin Kurtit është Valdete Daka… Ata po duan eliminim politik… Kjo nuk është gjë tjetër pos përpjekja e fundit për të kapur shtetin”, tha Konjufca.