Haradinaj, Vuçiqit: Mos keni frikë, Kosova vetëm po e kërkon atë që i takon

Kryetari i Aleancës për Ardhmerinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, iu ka përgjigur Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq-it,  i cili këtë të martë ka reaguar lidhur me një deklaratë të Kreut të AAK-së, për një mundësi të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Vuçiq është shprehur se nga kjo nuk kërcënohet vetëm Serbia, por Evropa dhe mbarë bota, njofton Klan Kosova.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha: ” Për sa kohë i dukem i rrezikshëm Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë, jemi në rrugë të drejtë!”.

Postimi i plotë i Haradinajt:

Për sa kohë i dukem i rrezikshëm Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë, jemi në rrugë të drejtë!

Mos keni frikë, z. Vuçiq. Nuk keni nevojë të jeni nervoz. Kosova vetëm po e kërkon atë që i takon.

Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Tutje, Kosova e di rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe OKB. Me retorikë histerike nuk do të na ndaloni në të drejten tonë për të definuar të ardhmen e Kosovës.

Të gjithë duhet ta dinë që deklarata dhe betimi im për bashkim me Shqipërinë vjen si rezultat i neglizhencës së vazhdueshme të Brukselit në lidhje me Kosovën. Kosova dhe qytetarët e saj janë më pro-perëndimorët dhe si të tillë nuk e meritojnë të përbuzen, injorohen dhe kushtëzohen në pafundësi!