Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan, ndaj të pandehurit D.I., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës, dyshohet se më 15 Janar 2021, rreth orës 20:40 minuta, në fshatin Izvor Komuna e Novobërdës, i pandehuri D.I., ka privuar nga jeta tani të ndjerin K.I., në atë mënyrë që e ka goditur 12 herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.
Me këto veprime, i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale të sipërshënuar.
Ndryshe, policia ka njoftuar sot se i njëjti është arrestuar pasi dyshohet se e ka vrarë gjyshin e tij. Ai fillimisht kishte njoftuar policin duke thënë se gjyshi i tij ka kryer vetëvrasje.
“Fillimisht ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se gjyshi i tij ka bërë vetëvrasje. Në vendin e ngjarjes ka dalur edhe prokurori i shtetit, i cili bënë ri cilësimin e veprës nga vdekje e dyshimtë në vrasje të rëndë. Me vendim të prokurorit është bërë arrestimi i ankuesit tani i dyshuar mashkull kosovar dhe është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.