Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti në 22 vjetorin e masakrës në Reçak nga forcat serbe tha se asnjëherë nuk do të prehen në paqe viktimat derisa ata që i kanë kryer këto vepra të marrin dënimin e merituar.
Hoti gjatë homazheve në Kompleksin Memorial në Reçak tha se drejtësia ndonjëherë vonon, por u shpreh i bindur se do të vendoset.
“Sot në këtë ditë bëmë nderimet në këtë vend të veçantë, ku ka ndodhur ngjarje e tmerrshme. Në Kosovë kanë ndodhur plotë maskara dhe fillimi i vitit është gjithmonë i dhimbshëm për plotë familje. Ky vend është më i veçantë. Ngjarja që ka ndodhur këtu e ka sensibilizuar botën mbarë për gjendjen, terrorin që ndodhte në Kosovë, me vite të tëra por që ka kulmuar në këtë ditë”, tha Hoti, raporton Telegrafi.
“Asnjëherë nuk do të prehen të qetë këta trupa derisa ata që kanë kryer këto vepra të marrin dënimin e merituar. Drejtësia nganjëherë vonon por jam i bindur se do të vendoset njëherë e përgjithmonë”, u shpreh më tej kryeministri në detyrë.
Sot, 15 janar 2021, janë bërë 22 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak.
Më 15 janar 1999, në Reçak u vranë e u masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur.