Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës, ka mbajtur mbledhje korresponduese\elektronike. Në mbledhjen e 57 me radhë, Qeveria ka miratuar vendimin për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe vendimin për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, në projektin për sigurinë e rrjetit të brendshëm të Teknologjisë Informative të Policisë së Kosovës.
Qeveria në detyrë, i ka propozuar kryeministrit Hoti emërimin e z. Samedin Mehmeti, Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Vendimi do të hyjë në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, të Projektit për sigurinë e rrjetit të brendshëm të Teknologjisë së Informacionit të Policisë së Kosovës. Bëhet fjalë për mbrojtjen nga sulmet kibernetike dhe sigurinë e rrjetit të brendshëm të Teknologjisë së Informacionit të Policisë së Kosovës, që vlerësohet të jetë i ndjeshëm dhe konfidencial.
Ky vendim vjen pas rreth tre muajve që ushtroi detyrën si drejtor i përgjithshëm.
Pas shkarkimit të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj nga ana e kryeministrit Avdullah Hoti, si ushtrues detyre në këtë pozitë ishte caktuar zëvendësdrejtori Samedin Mehmeti.
“Përveç përvojës në polici, Samedin Mehmeti gjithashtu ka përvojë edhe në fushën e sigurisë ndërkombëtare. Për disa vite me radhë z. Mehmeti ka punuar në Departamentin e Sigurisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara si dhe në Misionin e OKB-së në Afganistan. Pas kthimit nga Misioni në Afganistan, Samedin Mehmeti ka punuar në pozitën e Kryesuesit të Komisionit të Brendshëm Disiplinor dhe në pozitën e Drejtorit të Divizionit të Komunikacionit Rrugor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës”, thuhet në biografinë e tij.