I dyshuari për sulmin ndaj Valon Sylës është vëllai i zyrtarit të lartë të PDK-së

Gazetari kosovar, Valon Syla, është sulmuar fizikisht në rrugën “Robert Doll” në Prishtinë.

Gazeta Sinjali mëson se i dyshuari për sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla është Bashkim Jupa nga fshati Molliq i Komunës së Gjakovës, me vendbanim në Zvicër. 

Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se i dyshuari është vëllai i zyrtarit të lartë të PDK-së dhe ish-zëvendësministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bekim Jupa. 

Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinë, Flora Ahmeti. Ajo ka bërë të ditur se, njësitë e nevojshme policore po merren me rastin.

“Rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën se një person është sulmuar fizikisht në lagjen Pejton në Prishtinë. Menjëherë në vendngjarje kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe po merren me rastin”, ka thënë Ahmeti.

Ky sulm fizik ndaj gazetarit Syla vjen pas shkrimeve të tij lidhur me fluksin e madh të mërgatës që kanë ardhur në Kosovë gjatë këtyre ditëve.