Në një shkrim për historinë e Kosovës, si rivalin e ri të Spanjës në kualifikimet për Kampionatin botëror, mediumi i njohur spanjoll “Marca” është marrë me faktin që në Kosovë shumica e lojtarëve janë shqiptarët që vijnë nga diaspora.
“Asnjë lojtar i ekipit të Kosovës nuk ka lindur në shtetin e tij. Të paktën në vendin që e shpalli pavarësinë më 17 shkurt, 2008. Një pjesë e lojtarëve që do të jenë rivalë të Spanjës në kualifikimet për Botërorin ‘Katari 2022’ panë dritën në mërgim: Zvicër ose Suedi; të tjerët u lindën në qytetet e Kosovës, por kur ai territor i përkiste Serbisë apo Jugosllavisë. Duhet të presim edhe disa vjet që të lindurit në Kosovën e pavarur, shtet i pranuar nga FIFA në majin e 2016-s me të drejta të plota, të arrijnë ekipin përfaqësues”, nis ky medium shkrimin e gjatë për Kosovën.
Sipas “Marcas”, “Kosova tingëllon si luftë, mërgim, vdekje, prej shekujsh”. Në shkrimin ku është komentuar edhe “Beteja e Kosovës” e vitit 1389, mes serbëve dhe Perandorisë Osmane, e që nga Serbia edhe pse kishte humbur, tashmë njihet si festë kombëtare.
Lojtarët e Kosovës kanë çfarë të thonë për luftërat në Ballkan. Fëmijëria e tyre nuk ka lidhje me atë të rivalëve të tashëm. Në shkrimin e “Marcas” flitet për të kaluarën e sulmuesit Vedat Muriqi, lojtarit të Lazios që u lind më 1994 në Prizren. Mediumi shkruan se si ai ishte rritur nën zhurmën e kallashnikovëve dhe si ishin mbajtur në një tavernë me 50 njerëz të tjerë, e duke fjetur në kuti të shisheve, ndërsa kishin vetëm dy litra qumësht për të gjithë, e se si ishte ushqyer vetëm me bukë e qepë. Muriqi kishte nisur futbollin për Lirinë e Prizrenit, kur ishte vetëm nëntëvjeçar.
Sa i përket historisë së Milot Rashicës, i lindur në Vushtrri më 1996, “Marca” ka treguar se familja e lojtarit kishte qëndruar në shtëpi dhe u kishin mbijetuar bombardimeve. Ai u rrit në Mitrovicë deri në kohën kur e zbuloi Vitesse ku nisi karrierën që e çoi në Werder Bremen.
Për kapitenin Samir Ujkani, të lindur në Vushtrri, është thënë se kujtimet e tij të fëmijërisë janë në Belgjikë. Valon Berisha u lind në Suedi më 1993, pasi prindërit e tij kishin migruar nga Podujeva. Berisha u paraqit për Norvegjinë për 20 ndeshje, para se më 2016 FIFA- të bënte hapin historik në rregullatorë.
“Nuk i kemi pasur as 11 lojtarë në ditën para ndeshjes së parë, tani kemi avancuar shumë”, ka thënë Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Përjashtimi absolut
Kur u mor vendimi nga Zvicra që Kosova të garonte lirshëm edhe pa u njohur nga shumë shtete, përfshirë Spanjën, politika u largua nga sporti. Këtë “Marca” e ka cilësuar si përjashtim absolut të bërë nga FIFA. “Si mundet një ekip përfaqësues i një shteti të lindur vetëm tetë vjet më herët të luajë më 2016? FIFA u përball me rastin që ishte: përjashtim absolut. Për këtë arsye, kur Kosova debutoi në Eliminatoret për Botërorin e Rusisë, në barazimin 1-1 me Finlandën më 2016, gjashtë lojtarëve iu lejua të ndryshonin përfaqësueset pa u mbështetur në rregullore”, shkruan tutje “Marca”. Këtu ka përmendur Amir Rrahmanin, Alban Mehën, Herolind Shalën, Milot Rashicën e Samir Ujkanin që kishin luajtur për ekipin A të Shqipërisë dhe Valon Berishën që ishte paraqitur te Norvegjia.
Në ndeshjet e fundit të Kosovës, në nëntor, vetëm pesë lojtarë s’janë paraqitur në të kaluarën me flamuj të tjerë. Sipas “Marcas” shtatë ishin që kanë luajtur për Shqipërinë, katër për Norvegjinë, dy për Zvicrën dhe nga një për Suedinë e Austrinë.
Ndër tjerash, është theksuar edhe ankesa që Federata e Zvicrës kishte bërë për ndryshimin e përfaqësueses së lojtarëve, duke shprehur frikën për lojtarët e mëdhenj si Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka, që ishin gjobitur për festën me shqiponjë, simbolin e shqiptarëve në fitoren ndaj Serbisë në Botëror.
“Marca” ka shkruar edhe për Adnan Januzajn e Belgjikës për ofertën që i kishte bërë Kosova, dhe për përzgjedhjen e fundit të tij që mbeti të luante për Belgjikën.
Tani Kosova po përgatitet për ndeshjen me Spanjën në një grup ku vetëm Suedia e njeh si shtet. Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të luajë në grup me Spanjën në kualifikimet për Botërorin e vitit 2022. Kosova është në grupin B së bashku edhe me Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë.
Spanja është një nga 79 shtetet e Kombeve të Bashkuara që s’e njohin Kosovën shtet. Gjithsesi, sipas “Marcas”, qeveria aktuale e Pedro Sanchezit ka dërguar sinjale të përmirësimit të situatës. Pasaporta e Kosovës nuk lejohet të hyjë në Spanjë, sikurse nuk njihen as flamuri e himni. Por, pavarësisht kësaj, Federata beson që s’do të ketë telashe që ndeshjet mund të luhen si në Spanjë, ashtu edhe në Prishtinë. “Po flasim për rregullat e FIFA-s”, ka thënë Ministria e Jashtme.