Një i afërm i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli ka marrë nismën për të themeluar një fond për grumbullimin e parave për mbrojtjen e Kadri Veselit që po përballet me akuza të lidhura me krime të luftës në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Hysni Veseli, i afërm i tij, ka thënë se këtë po e bën me qëllimin e mbrojtjes së luftës së pastër të UÇK-së.
“Me qëllim të ri-konfirmimit të qëndrimit dhe besimit të patundur që lufta e armatosur e qytetarëve të Kosovës, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe e përkrahur nga forcat e NATO-së, ka qenë luftë e drejtë dhe e pastër për çlirimin e Kosovës, pra luftë kundër forcave ushtarake, policore, paramilitare dhe administratës okupuese të Serbisë në Kosovë; Në konsideratë të njohës së sakrificës, angazhimit dhe kontributit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), të mbështetur nga NATO, e udhëhequr nga SHBA-të dhe aleatet e saj, të cilët ishin faktorë vendimtarë për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës”, thuhet në njoftim.
“Ky Fondacion është themeluar me qëllim që të mbledhë fonde të ligjshme për ta mbështetur punën e mbrojtësve të specializuar të ekipit ligjor që ofron mbrojtën juridike për ish-Kryetarin Veseli. Fondacioni është themeluar mbi bazën e kuadrit ligjor në fuqi në Republikën e Kosovës dhe ka për qëllim grumbullimin e mjeteve financiare në mënyrë të mirë-organizuar dhe transparente nga ana e personave fizikë dhe juridikë – të cilët shprehin vullnetin dhe solidaritetin e tyre për të ndihmuar financiarisht, përmes donacioneve, mbrojtjen juridike të ish-Kryetarit Veseli”.
“Fondacioni është themeluar me iniciativën e z. Hysni Veseli, familjar i afërt i ish-Kryetarit Veseli, ndërsa ka edhe Bordin – që është organi më i lartë qeverisës i organizatës dhe që ushtron përgjegjësinë e funksionimit të Fondacionit, si dhe menaxhimin e detyrave që lidhen me qëllimin dhe aktivitetet e Fondacionit, përfshirë edhe organizimin, sipas nevojës, edhe të auditimit të pavarur të pasqyrave financiare të organizatës. Fondacioni do të shërbejë si një adresë e vetme për qëllimet e lartcekura dhe do të integrojë çdo ndihmë financiare e materiale për qëllimet e mbrojtjes së ish-Kryetarit Veseli në mënyrë legale, transparente dhe profesionale”.