Te Ballkani janë të vendosur për ta kthyer pozitën e parë në Superligën e Kosovës në futboll, të cilën e kanë humbur në javët e fundit nga Drita. E për ta bërë këtë, Ballkani duhet të triumfojë ndaj Gjilanit dhe të shpresojë që Drita të mos marrë pikët e plota ndaj Prishtinës. Të dyja këto ndeshje janë të mbetura dhe të fundit për këtë vit në elitën e futbollit kosovar.
Megjithatë, Drita është e vendosur për të mos zbritur nga pozita e parë dhe ka paralajmëruar se ndaj Prishtinës synim e ka fitoren. Ballkani luan të shtunën në Suharekë kundër Gjilanit derisa Drita, një ditë më vonë do të përballet me Prishtinën në stadiumin “Fadil Vokrri”. Aktualisht, Ballkani zë vendin e dytë në tabelë me 38 pikë, dy më pak se Drita që është lidere dhe nëse realizohet skenari në të cilin po shpreson ekipi nga Suhareka, atëherë ai do të jetë kampion vjeshtor. Ballkanit medoemos i duhet fitorja me Gjilanin dhe të presë që Drita të pësojë apo të barazojë me Prishtinën. Ballkani në të dyja rastet do të kthehet në krye të tabelës, edhe nëse mbetet me pikë të barabarta me Dritën për shkak të goldallimit më të mirë. Mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi, është i bindur se Ballkani do të triumfojë në ndeshjen e mbetur të xhiros së 12-të. Dueli i parë mes këtyre dy ekipeve, i luajtur në Gjilan, është mbyllur pa gola. Mbi të gjitha, te Ballkani duan të harrojnë sa më shpejt humbjen e fundit nga Prishtina dhe ta mbyllin këtë vit me fitore ndaj Gjilanit, njërit prej rivalëve për titullin e kampionit. Ndeshja mes Ballkanit e Gjilanit do të nisë në orën 12:30.
“Për ne është shumë e rëndësishme të dalim në fushë dhe ta kryejmë punën tonë në duelin kundër Gjilanit. Kjo nënkupton të marrim tri pikë dhe ta përfundojmë me fitore pjesën vjeshtore që ishte shumë e mundimshme dhe me orar të ngjeshur. Natyrisht, nuk do të jetë aspak lehtë për shkak se luajmë kundër Gjilanit dhe do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Gjilani ka ekip shumë cilësor me lojtarë të mirë. Mirëpo, ne jemi të vendosur ta fitojmë këtë duel”, ka insistuar Thaqi të premten për KOHËN. “Nuk ka shumë rëndësi edhe nëse nuk përfundojmë si kampion vjeshtor, sa ka rëndësi ta mbyllim këtë vit me fitore. Ne shpresojmë ta dalim të parët, por edhe nuk presim ndihmë nga Prishtina, sepse ajo duhet t’i ndihmojë vetes nëse dëshiron të mbetet në garë për titullin e kampionit deri në fund”.
Ngjashëm si Ballkani, edhe Gjilani po synon ta mbyllë vitin me fitore dhe t’i japë fund serisë negative. Gjilani në pesë ndeshjet e fundit, ka katër humbje e një fitore. Si pasojë e rezultateve të dobëta erdhi deri të largimi i trajnerit Gentjan Mezani, që u zëvendësua javën e shkuar me Bylbyl Sokolin. Ky i fundit do të debutojë në Superligë si trajneri i Gjilanit, pikërisht në ndeshjen kundër Ballkanit. Gjilani është i katërti në tabelë me 26 pikë.
“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë pasi Ballkani është kundërshtar shumë i fortë. Mirëpo, ne nuk kemi tjetër opsion veçse në këtë ndeshje të dëshmojmë se tashmë e kemi kaluar krizën e ndeshjeve të fundit. Pra, si në secilën ndeshje tjetër, ashtu edhe ndaj Ballkanit do të futemi vetëm për tri pikë. E them këtë, sepse Gjilani është ekip i ndërtuar për pjesën e epërme të tabelës dhe është momenti i fundit që të kthehemi te fitorja, pra të mbyllim vitin me rezultat pozitiv”, ka thënë mesfushori i Gjilanit, Muhamed Useini.
Ndërkohë, të dielën prej orës 13:30, Prishtina e pret Dritën. Te Prishtina janë maksimalisht të motivuar pasi duan të vazhdojnë formën e mirë. Në tetë ndeshjet e fundit, Prishtina nuk di për humbje duke regjistruar gjashtë fitore e dy barazime. Madje, në dy duelet e fundit ka mposhtur Gjilanin e Ballkanin. Aktualisht, Prishtina është e treta në tabelë me 31 pikë, nëntë më pak se Drita. Kjo ndeshje i takon xhiros së tretë dhe ishte shtyrë për shkak të angazhimeve të Dritës që i pati në fillim të këtij sezoni në raundet eliminatore të Ligës së Evropës.
“Jemi të motivuar dhe me padurim presim ndeshjen me Dritën. Rezultatet pozitive në ndeshjet e fundit na kanë dhënë optimizëm të madh dhe ndaj Dritës do të futemi për fitore. Është një rast i mirë për t’u afruar edhe më shumë me kreun e tabelës dhe nuk duhet ta lëshojmë. Fituesin në këtë derbi do ta vendosin detajet e vogla, por ne do të japim gjithçka nga vetja për fitore”, ka thënë mbrojtësi i Prishtinës, Besnik Krasniqi.
Megjithatë, Drita është e vendosur që vitin ta mbyllë në pozitën e parë dhe për këtë ka paralajmëruar edhe futbollisti i saj, Almir Ajzeraj. Ajzeraj beson se Drita mund ta ndalë serinë pozitive të Prishtinës në ndeshjen e fundit të këtij viti.
“Në rend të parë, pres një ndeshje të fortë për ta arsyetuar epitetin e derbit. Edhe në këtë ndeshje të vështirë, ne do të futemi për fitore pasi duam ta përmbyllim vitin në mënyrën më të mirë të mundshme. Shpresoj ta mbajmë vendin e parë, por edhe nëse nuk e mbajmë, nuk mendoj se do të ketë ndonjë peshë të madhe, sepse deri në fund të edicionit ka edhe shumë ndeshje”, tha Almir Ajzeraj i Dritës.