Avokatët mbrojtës të të akuzuarve kanë thënë se 18 muaj janë minimumi që i duhet mbrojtjes për t’i bërë përgatitjet.
Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, David Hooper, ka thënë se ende nuk kanë filluar të mendojnë sa i përket nisjes së hetimeve. Ai ka thënë se është herët, pasi sipas tij, sapo i kanë marrë materialet dhe ende nuk kanë krijuar pikëpamje lidhur me materialin.
Ai ka thënë se afati 18 mujor është minimumi që ata parashikojnë për të filluar që të shikojnë nëse kanë ekipin dhe aspektet e nevojshme për t’u bërë hetimet e nevojshme, e pastaj kjo, sipas tij do të fillonte në vitin 2022.
“Nëse mua më flasin për një proces të rregullt gjyqësor unë mendoj që është e pakonceptueshme por duhet të them se këto fjalë të prokurorisë janë zhgënjyese. Ne ende nuk kemi filluar ta krijojmë ekipin hetimor”, ka thënë ai.
Avokati i Veselit, Ben Emmerson ka thënë se kanë marrë hapat paraprak për krijimin e një mekanizmi hetimor.
Sipas tij, mbrojtja duhet të kryej hetim më të gjerë për të gjitha akuzat.
“Nëse mund ta them për çështjet tjera gjyqësore kjo është tepër e pazakontë. Janë ngritur dyshime kundër të akuzuarve që përpiqet t’i lidhë ata me krime që nuk kanë qenë të përzier”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se kanë identifikuar një hetues me përvojë në Kosovë që është pjesë e ekipit të mbrojtjes. Ai tutje ka shtuar se do të rekrutojnë deri në gjashtë hetues.
Emmerson ka propozuar një ekspert ndërkombëtar për mbikëqyrjen e hetuesve të kualifikuar.
Ai ka thënë se gjyqi mund të fillojë në fillim të vitit 2023.